Serbia nuk ka asnjë të drejtë në privatizim
Serbia nuk ka të drejtë ta kontestojë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Sipas Kushtetues së Kosovë dhe Pakos së Ahtisarit, Republika e Kosovës do t’i ketë në pronësi të vet të gjitha ndërmarrjet në territorin e saj që janë ndërmarrje në pronësi publike. “Të gjitha obligimet që kanë të bëjnë me këto të drejta pronësore, do të jenë obligime të Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës mund të privatizojë, të japë me koncesion ose të japë me qira ndërmarrjet në pronësi publike, në mënyrën e rregulluar me ligj”, thuhet në nenin 160 për ndërmarrjet në pronësi publike të Kushtetutës së Kosovës.
Autoritetet e Serbisë së fundi kanë kundërshtuar procesin e privatizimin në Kosovë. Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999 e deri më sot.
Këtë kërkesë të autoriteteve të Serbisë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë dhe përfaqësues të organizatave ekonomike e quajnë të pakuptimtë. Ata thonë se as Serbia dhe as një shtet tjetër nuk mund të ndikojë, pengojë apo ta kontestojë privatizimin në Kosovë.
Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, thotë se politikat operative të procesit të privatizimit i zbaton vetë shteti. Ai thotë se Kosova ka bërë privatizimin e ndërmarrjeve në bazë ligjore dhe kushtetuese. “Serbia nuk ka asnjë të drejtë, jo vetëm Serbia, po as një shtet tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë në privatizimin e ndërmarrjeve publike të një shteti tjetër. Në këtë rast vetëm Kosova mund të hartojë dhe të zbatojë politikat dhe modelet e procesit të privatizimit”, thekson Limani.
Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë kishte filluar në vitin 2003. Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga fillimi i procesit të privatizimit deri më tani ka shpallur 56 valë të privatizimit, janë privatizuar mbi 300 ndërmarrje shoqërore dhe janë krijuar mbi 600 ndërmarrje të reja. Ndërsa, nga shitja e këtyre ndërmarrjeve janë grumbulluar mbi 500 milionë euro.
Privatizim të ndërmarrjeve publike, gjatë kësaj periudhe, ka pasur edhe në zonat e banuara me shumicë serbe. Privatizimi ka ngecur te disa ndërmarrje, për shkak të çështjeve të pazgjidhura pronësore, siç është rasti i kompleksit turistik Brezovica.
Në Kosovë aktualisht është duke vazhduar procesi i privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës.
Në kohën kur kishte filluar procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje publike në vitin 2010, Serbia kishte kërkuar nga kompanitë botërore që kishin konkurruar për blerjen e Postë-Telekomit të Kosovës që të mos përfshihen në blerjen e kësaj ndërmarrjeje, në të kundërtën do t’u drejtohet gjykatave prej nga janë kompanitë dhe drejtësisë ndërkombëtare për ta penguar këtë proces.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), thotë se kërkesat e tillë të Serbisë nuk duhet të kenë asnjë ndikim në procesin e privatizimit. “Gjithçka që Serbia ka bërë në Kosovë dhe tash më pretendon se ka bërë gjatë asaj periudhe, besoj se nuk duhet merret parasysh e sidomos ato që lidhen me privatizimin nuk duhet merren si relevante. Tani kërkesa e institucioneve të Serbisë se privatizimi duhet të ndalet apo se nuk duhet të vazhdojë nuk duhet të merret parasysh nga askush”, shprehet Zeka.
Procesi i privatizimit deri në muajin prill të vitit 2008, është mbikëqyrur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në kuadër UNMIK-ut, ndërkaq, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetencat kanë kaluar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. /Rel/Telegrafi/