Servisimi i korrupsionit?
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka shpenzuar sivjet 72 mijë euro për t’i servisuar tri vetura të markës Hyundai, të cilat i ka blerë para një viti në vlerë prej 73 mijë euro. Ky absurditet vlerësohet si i panevojshëm pasi që këto vetura kanë garancion. Në KPMM thonë se kaq kushton servisimi në baza vjetore.Si me ble një veturë të re, si me servisu komplet një të vjetër, duket se u kushton njëjtë institucioneve të Kosovës. Së paku, kështu shihet në tenderin për servisim të automjeteve që i bleu një vit më parë Komisioni për Miniera dhe Minerale.
Në bazë të dokumenteve të publikuara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, KPMM ka blerë 3 vetura të llojit Hyundai më 28 gusht të vitit të kaluar për 73 mijë euro nga kompania “Hyundai Auto”, ndërsa të enjten ka zgjedhur po të njëjtën kompani për servisim të automjeteve për 72 mijë euro.
Shpenzimi i një shume të tillë menjëherë pas një viti nga ky institucion, për ata që e përcjellin shpenzimet e parasë publike është totalisht i paarsyeshëm dhe e pakuptueshëm.
Sipas Bekim Marmullakut, nëse në kontratën për blerje përfshihet edhe garancioni, atëherë kjo nuk është në rregull. “Kjo mënyrë po tingëllon si mister sepse çdo blerje e re e automobilave duhet të ketë garancion. Nëse nuk e kanë bërë me marrëveshje, është keqpërdorim pa qëllim, por nëse garancioni përfshihet në marrëveshje dhe nuk zbatohet, atëherë është keqpërdorim me qëllim”, pohon Marmullaku. /Express/Telegrafi/