Shëngjini me pushues rekord
Bregdeti i Shëngjinit këtë është një ndër më të preferuarit në vend për të kaluar pushimet. Shifrat paraprake tregojnë një numër rekord pushuesish, që ka ardhur gjithnjë e në rritje nga viti në vit. Rëra kurative, bregu i gjerë, kushtet e hoteleve dhe pastërtia duket se janë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e përvitshme të këtij numri.Zyrtarët e komunës së Shëngjinit kanë bërë të ditur për mediat në Shqipëri, se në dy fundjavat e shkuara, numri i pushuesve ka arritur në 100 mijë.
Një nga arsyet kryesore që duket të ketë ndikuar në orientimin e pushuesve drejt këtij bregdeti është edhe Rruga Durrës-Kukës, e njohur edhe si Rruga e Kombit. Kjo e fundit bashkohet me autostradën e Tiranës e Durrësit në Milot të Lezhës, vetëm 20 kilometra larg Shëngjinit, çka duket se ka krijuar lehtësinë që pushuesit të orientohen drejt kësaj pjesë brendetare të vendit.
Sipas zyrtarëve të komunës së Shëngjinit, është bërë një marketing intensiv, që është realizuar paralelisht me masat që janë marrë për garantimin e një shërbimi sa më cilësor.
Para nisjes së sezonit turistik, komuna në bashkëpunim me forcat e rendit kanë ndërmarrë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje. /Telegrafi/