SHBA, ekonomia po rimëkëmbet
Departamenti i Tregtisë thotë se shpenzimet e përgjithshme të shitjes me pakicë i tejkaluan pritjet në shtator, ndërkohë që konsumatorët shpenzuan më tepër për mallrat elektronikë dhe automjetet. Një sërë të dhënash pozitive, të publikuara së fundmi, bëjnë që pritjet për sezonin e rëndësishëm të pushimeve të jenë të mira.Një përmirësim i shifrave të vendeve të punës, të ardhura më të larta nga se pritej në Wall Street dhe shenja rimëkëmbjeje në tregun problematik të shtëpive po ndihmojnë në ngritjen e besimit të konsumatorëve. Shumë njerëz kanë shtuar shpenzimet në muajin shtator, duke rritur shitjet me pakicë me 1.1 për qind dhe duke nisur kështu më herët sezonin e blerjeve për festat.
Ekonomisti Cary Leahey thotë se vendimtare ishin të ardhurat nga pajisjet elektronike, një sektor në të cilin dalja në treg e modelit të ri të celularit iPhone rriti shitjet me 4.5 për qind. “Kam parë njerëz të thonë se Krishtlindjet erdhën herët, i bleva vetes një iPhone. Dhe unë mendoj se Krishtlindjet vërtet kanë ardhur herët, dhe ky është një fillim shumë i mirë”.
Çmimet e larta të benzinës ishin një tjetër ndikues në rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve - që përbëjnë gati dy të tretat e ekonomisë së SHBA-së. Amerikanët blenë gjithashtu më tepër makina, si dhe shpenzuan më shumë për ushqim dhe pije.
Kjo mund të nxisë kompanitë të përgatisin raftet e dyqaneve më shpejt, në prag të së Premtes së Zezë të muajit nëntor - një ditë që tradicionalisht shënon fillimin e sezonit të blerjeve për festat. /Telegrafi/