Shqipëri, energjia elektrike humb në rrjet
Energjia elektrike humb në rrjetet e amortizuara. Sipas të dhënave të INSTAT humbjet në rrjet janë rritur me 50.3 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë 2012 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Në këtë mënyrë rreth gjysma e energjisë e cila është në përdorim prej konsumatorëve humbet gjatë shpërndarjes në rrjet.Ndërkohë sa i përket prodhimit energjia elektrike në Shqipëri për 6 mujorin e parë të këtij viti ka pësuar ulje më 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ka ardhur si pasojë e motit të thatë i cili ka shoqëruar vendin tonë përgjatë gjithë verës. Prodhimi i hidrocentraleve si rezultat u ul me rreth 19.5 për qind duke dhënë ndikimin kryesor në rënien e burimeve të energjisë elektrike. Ky prodhim këtë gjashtëmujor, zuri 92.5 për qind të prodhimit gjithsej në vend.
Rritje prej 62.4 për qind ka energjia e prodhuar nga impiantet private e me koncesion krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
TEC-et gjatë gjashtëmujorit të parë 2012 nuk kanë prodhuar energji elektrike. Ulja e prodhimit si rezultat ka ndikuar në rritjen e importit të energjisë elektrike. Shpesh gjatë verës vendi ynë importon energji pasi prodhimi i energjisë nuk përmbush të gjitha kërkesat për energji në Shqipëri. Kështu sipas INSTAT është importuar rreth 44.9 për qind të sasisë të energjisë elektrike të përftuar gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2012 nga 36.7 për qind që përbënte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011.
Gjithsesi një aspekt pozitiv është ulja e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët. Përdorimi nga konsumatorët është ulur me 26.9 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë në vitin 2011. /Telegrafi/