Shqipëri, kredi 40 milionë euro për blerje energjie
Kriza energjetike në vend dhe rëndimi i situatës hidrike nëpër hidrocentralet e vendit ka detyruar qeverinë shqiptare, që të marrë kredi në emër të KESH-it me qëllim blerjen e energjisë elektrike. Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave kredinë 40 milionë euro për llogari të KESH-it për import të energjisë.Sipas kreut të qeverisë, Berisha, “autorizohet sipërmarrja e KESH-it të marrë kredinë prej 40 milionë eurosh, për dy qëllime kryesore. Qëllimi i parë: që të bëjë import të energjisë, pasi këtë detyrim ligjor kontraktual kompania ÇEZ nuk e ka përmbushur.
Në këto kushte, për të përballuar situatën e krijuar nga mospërmbushja e këtij detyrimi shumë të rëndësishëm, autoritetet shqiptare duhet të autorizojnë KESH-in për të importuar energji dhe natyrisht, të garantojnë edhe shumën e domosdoshme për importin e saj”.
Një pjesë të kësaj kredie, KESH-i është i autorizuar që ta përdorë për të blerë energji nga hidrocentralet e reja. /Telegrafi/