Shqipëri, pagat rëndojnë buxhetin
Me gjithë masat shtrënguese të qeverisë për të mbajtur nën kontroll borxhin e rritur publik, disa nga zërat e shpenzimeve të buxhetit, që lidhen kryesisht me administratën dhe ato operative vazhdojnë të rriten. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet korrente të buxhetit në shtatë muajt e parë të vitit, ishin 36 milionë dollarë më shumë se plani. Shkaku ishte rritja përtej planit e faturës së pagave të administratës dhe tejkalimi i fortë në shpenzimet operative.
Së bashku me shpenzimet për pensione këto zëra vazhdojnë të rriten nga viti në vit edhe pse financat kanë në krizë. Krahasuar me shtatë muajt e parë të vitit të kaluar fatura e pagave u rrit me 7 milionë dollarë, ajo e shpenzimeve operative me 20 milionë dollarë dhe shpenzimet për pensione me mbi 30 milionë dollarë. Qeveria i financon këto me të ardhurat që mbledh nga taksat dhe burimet e tjera financiare. Por për shkak të krizës të ardhurat janë rritur me ritme të papërfillshme.
Në shtatë muajt e parë qeveria mblodhi 108 milionë dollarë më pak se plani dhe mungesa e parave e kombinuar me rritjen faturës për paga pensione dhe shpenzimeve operative e ka detyruar qeverinë të ulë fort investimet publike. Si shtatë mujor investimet e qeverisë ishin rreth 70 milionë dollarë më të ulëta se një vit më parë, ose 17.6 për qind më pak, raporton Tch.
Pas rriti fort shpenzimet në vitin zgjedhor 2009, qeveria e frikësuar nga rritja e borxhit nisi të shtrëngojë buxhetin. Shpenzimet publike u ulen nga maksimumi historik prej 33 për qind e prodhimit kombëtar në 2009 në 28.6 për qind vitin e kaluar. Por ku po shkurton qeveria? Pavarësisht përpjekjeve për të tkurrur administratën, shifrat tregojnë efekti ka qenë i papërfillshëm.
Shpenzimet për pagat dhe kontributet që qeveria paguan për nëpunësit e shtetit, janë ulur me vetëm 0.29 pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar. Po kaq janë ulur edhe shpenzimet operative, ku përfshihen fondet për mirëmbajtjen e rrugëve, por edhe dietat, udhëtimet dhe trajnimet e punonjësve të administratës. /Telegrafi/