Shqipëria, e 85-ta në raportin “Doing Business”
Banka Botërore publikoi raportin vjetor “Doing Business” për vitin 2013. Ndonëse Shqipëria ka humbur dy vende në klasifikimin e përgjithshëm të këtij raporti, bashkëautorja e studimit, Tea Trumbic thotë se vendi ka shënuar përparime në disa tregues të rëndësishëm por ka ende vend për përmirësime.
Banka Botërore e radhit Shqipërinë në vendin e 85 nga 185 vendet e përfshira në klasifikimin e përgjithshëm të raportit Doing Business i cili merr në konsideratë rregulloret e vendosura nga qeveritë që ndihmojnë apo pengojnë bërjen e biznesit në një vend.
Trumbiç thotë se një nga arsyet kryesore për këtë rënie të lehtë të Shqipërisë në klasifikim janë hapat e shpejtë të ndërmarra nga vendet e tjera në drejtim të reformave. Por ajo shton se edhe në Shqipëri vihen re disa ndryshime pozitive. “Pavarësisht renditjes së përgjithshme, ka pasur dy reforma të rëndësishme vitin e kaluar. Një në treguesin e fillimit të biznesit ku Shqipëria hoqi një nga kërkesat për noterizimin e dokumenteve të themelimit të kompanive (duke e bërë atë fakultativ) dhe duke ulur procedurat si dhe kohën që nevojitet e që e vë Shqipërinë ndër vendet më të shpejta për të filluar një biznes”, shprehet Trumbiç.
Shqipëria gjithashtu bëri përparime në treguesin e regjistrimit të pronave duke vendosur afate kohore për regjistrimin e një titulli të pronësisë.
Megjithatë në treguesin e lejeve të ndërtimit Shqipëria radhitet e fundit në klasifikimin e këtij raporti të Bankës Botërore. “Për tre vitet e fundit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në Tiranë. KKRT ishte autoriteti kryesor që autorizonte lejet e ndërtimit dhe kishte zyrtarë të lartë të përfshirë në të. Procesi sigurisht që merrte shumë kohë edhe më parë. Tani ka një ligj të ri që supozohej të zbatohej vitin e kaluar e që ja kalon këtë autoritet bashkive. Por për shkak të problemeve me zbatimin e ligjit nuk janë dhënë leje ndërtimi. Pra në këtë pikë as që mund ta klasifikojmë Shqipërinë pasi nuk ka asnjë aktivitet”, thekson ajo. /Telegrafi/