Spanjë, rriten kreditë e këqija
Kreditë e këqija të bankave spanjolle janë rritur ndjeshëm, duke shënuar në muajin qershor një nivel rekord.
Banka e Spanjës deklaroi se aktualisht janë 200 miliardë dollarë hua që rrezikojnë të mos paguhen. Shifra është më shumë se 9 për qind e portofolit të përgjithshëm të huave më e larta që kur banka filloi të mbante të dhënat 50 vjet më pare. Shumë nga huatë e papaguara janë nga ndërtuesit dhe interesat e tjera të huave të pasurive të patundshme.
Kriza e këtyre të fundit ka çuar në prag kolapsi një sërë bankash të vendit, aq sa detyroi qeverinë të kërkonte ndihmën e Bashkimit Europian për rikapitalizimin e tyre. Dorëzania e Eurozonës e miratuar këtë verë për institucionet në fjalë e që llogaritet ne 100 miliardë euro do të kalohet për një periudhë kohe 18-mujore, raporton “Zëri i Amerikës”.
Element kyç i këtij programi, siç thuhet në një memorandum të Eurogrupit mbi paketën e shumëpërfolur të ndihmës, është t`i vihet në ndihmë segmenteve të dobëta të sektorit financiar spanjoll. Ekonomia e vendit është zhytur në recesion dhe niveli i papunësisë, i llogaritur në gati 25%, konsiderohet më i larti i vendeve të industrializuara. Madridi zyrtar ka marrë masa të rrepta për reduktimin e deficitit buxhetor, por shkurtimi i shpenzimeve ka penguar gjithashtu rritjen ekonomike. /Telegrafi/