Taksistët përleshen me policinë
Edhe sot, taksistët nga komuna e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, kanë vazhduar protestën para hyrjes kryesore të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, duke kundërshtuar një vendim të komunës së Lipjanit, e cila ua ndalon atyre operimin në aeroport. Protestuesit, gjatë ditës së sotme, kanë tentuar që me forcë të hynë në brendësi të aeroportit, por janë ndaluar nga Policia e Kosovës.Edhe në këto momente taksistët janë duke bërë përpjekje që të hynë në vendin ku kanë punuar për një kohë të gjatë, mirëpo policia nuk është duke e lejuar këtë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë (SPEVZ), Jusuf Azemi tha se protesta do të vazhdoj edhe më tutje deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. “Po tentojmë që të hyjmë brenda në aeroport, por policia nuk po e lejon një gjë të tillë. Ne jemi duke u shtyrë me policinë për të hyrë brenda. Deri më tash njëri nga taksistët ka mbetur i lënduar”, theksoi Azemi.
Qysh nga ora 9:00 e mëngjesit auto-taksistët protestues e kanë bllokuar hyrje-daljen e aeroportit, ndërsa kanë kërkuar edhe një herë që t’u lejohet operimi në aeroport ashtu sikurse e parasheh edhe një vendim i marrë më parë nga kryeministri i Kosovës.
Ndryshe, me një vendimi, komuna e Lipjanit ua ka ndaluar operimin e taksistëve të komunave të tjera në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Vendimi i kësaj komune është marrë më 30 dhjetor të vitit 2011, ndërsa numri i taksive të Fushë Kosovës dhe të Prishtinës të cilët kanë punuar në aeroport arrin numrin rreth 70. /Kosovapress/Telegrafi/