Tenderi gjashtëmilionësh i KEK-ut, në Prokurorinë Speciale
Tenderi për “Ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut” është në duart e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas ankesës së kompanisë “Besa Security”. Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim rreth këtij tenderi në vlerë prej 6 milionë eurosh, duke i dhënë të drejtë KEK-ut, i cili kishte rekomanduar për dhënie të kontratës konsorciumin “Security Code & WDG”.Por, para se të vendoste OSHP-ja lënda i është përcjellë Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit nga ana e kompanisë “Besa Security”. Kjo kompani thotë se do t’i drejtohet edhe Gjykatës Supreme, pasi gjatë gjithë procesit ka pasur shkelje ligjore, shkruan Koha Ditore.
Drejtori i përgjithshëm i kësaj kompanie, Granit Hasani, ka thënë t’u jetë drejtuar organeve të drejtësisë para se të merrej një vendim final nga OSHP-ja për shkak të dyshimeve që kanë pasur në tërë procesin e tenderimit. /Telegrafi/