Termokos blen më shtrenjtë mazutin
Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës Termokos duket se e ka të vështirë ta ndërrojë kompaninë që e furnizon me mazut. Edhe këtë vit kompania “Exfis” do ta furnizojë me mazut për ngrohje ngrohtoren e kryeqytetit. Në tenderin e shpallur nga Termokos kanë konkurruar dy kompani, përderisa “Exfis” është shpallur fituese, pasi që ka ofruar një çmim më të lirë, përkatësisht 98.99 euro për premium, për ton mazuti.“Exfis” edhe në sezonin e kaluar dimëror kishte furnizuar me mazut Termokosin, mirëpo me një çmim dukshëm më të lirë, përkatësisht 88.35 euro për premium, apo mbi 10 euro më lirë se sivjet.
Në anën tjetër zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka-Fejzullahu, thotë për se tenderi për furnizim me mazut për sezonin ngrohës 2012-2013 është shpallur për herë të tretë. ”Derisa kompania fituese ka ofruar një çmim prej 98.99 euro për premium për ton, kompania e dytë ka konkurruar me një çmim dukshëm më të lartë, përkatësisht 144.10 euro premium për ton. Çmimin e përcakton konkurrenca”, pohon Uka-Fejzullahu, shkruan Zëri.
Termokos vitin e kaluar ia kishte parë sherrin tenderit për ngrohje të dhënë kompanisë “Exfis”, për të cilën ishte dënuar nga Gjykata e tenderëve Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) me 20 mijë euro. /Telegrafi/