Trustit i rriten mjetet, tash menaxhon 705 milionë euro
Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Fondi) në mbledhjen e parë në përbërjen e re, ka shqyrtuar aktivitetin e përgjithshëm të Fondit për tremujorin e tretë. Bordi shprehet i kënaqur me informacionet e fundit se në fushën e investimeve po mbyllet nëntëmujori i këtij viti me performancë pozitive tejet të kënaqshme, marrë për bazë gjithmonë rrethanat aktuale në tregjet financiare.“Performanca e investimeve, bashkë me kontributet e reja, bënë që para mbylljes së TM3, pra në më pak se 3 muaj, mjetet nën menaxhim të rriten për 50 milionë euro dhe të arrijnë në 705 milionë euro, nga 654 milionë euro sa ishin në fund të tremujorit të dytë. Si rrjedhim Bordi aktual nuk e ka parë të arsyeshme të ndryshojë drastikisht strategjinë investuese të Bordit në përbërjen paraprake”, thuhet në një komunikatë për media të Trustit.
Bordi është informuar nga menaxhmenti se ndryshimi në sistemin e teknologjisë informative në Administratën Tatimore të Kosovës dhe në Fond po sjell rezultate tejet pozitive në alokimin e mjeteve në llogaritë individuale. Këtë po e ndihmon shumë edhe kalimi i raportimit të kontributeve pensionale në formë elektronike. Andaj problemi i kamotshëm i Fondit lidhur me alokimin e mjeteve në llogaritë individuale të kontribuuesve veçse ka filluar të eliminohet pothuajse krejtësisht. “Këtë e dëshmon më së miri fakti se 95 për qind e kontributeve të paguara në tremujorin e tretë janë alokuar në llogaritë individuale të kontribuuesve, gjë që deri para këtyre ndryshime ka qenë e pamundur të arrihet”.
Bordi vlerëson se ndryshimet ligjore që rregullojnë aktivitetin e Fondit, e që mundësojnë më shumë investime në Kosovë, janë inkurajuese.
Bordi vendosi në korrik të këtij viti të investojë për herë të parë në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës. “Investimi i përgjithshëm ishte 13.8 milionë euro, me një normë interesi prej 3.05 për qind. Tashmë vlera totale e investimeve në Kosovë, bashkë me rreth 35 milionë euro depozita në dy banka komerciale, shkon në rreth 48 milionë euro”, njofton Trusti.
Sikurse edhe Bordi Drejtues paraprak, edhe ky aktual, shprehë gatishmërinë për të rritur investimet në vend, dhe investimet e fundit në letrat me vlerë veçse e dëshmojnë këtë. /Telegrafi/