Udhëzim Administrativ për eksport-import të mbeturinave
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Dardan Gashi ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për lëshimin e lejes për import, eksport dhe transit të mbeturinave në Kosovë.Ministria e Mjedisit njofton se në bazë të këtij udhëzimi, rregullohen procedurat e mbikëqyrjes së qarkullimit ndërkufitar të mbeturinave në vendkalimet kufitare.
“Qarkullimi ndërkufitar i mbeturinave të parrezikshme e cila eksportohet, importohet dhe kalon transit nga Kosova duhet të posedojë lejen nga Ministria e Mjedisit. Këto ngarkesa duhet të shoqërohen me dokumentin për notifikim për qarkullim ndërkufitar të mbeturinave, të cilat mund të merren në ministri”, thuhet në një njoftimin për media të Ministrisë së Mjedisit.
Sipas njoftimit, ky udhëzim gjithashtu parasheh që çdo ngarkesë e mbeturinave të rrezikshme e cila eksportohet, importohet dhe kalon transit nga Kosova duhet të pajiset me dokumentin shoqërues, sipas legjislacionit të BE-së dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). /Telegrafi/