Zbritjet mashtruese
Prej 20, 50 dhe deri 70 për qind zbritje. Ky është mbishkrimi që na uron mirëseardhjen në Prishtinë sa herë hyjmë në një dyqan të vogël apo të madh. Disa i quajnë edhe zbritje sezonale, por që në realitet mё shumë kemi të bëjmë me mashtrim sezonal, i cili përsëritet secilin vit.
Disa nga pronarët e lokaleve thonë se kjo zbritje është reale, por shpeshherë ndodh që çmimet të kamuflohen, ato të vjetrat ndryshohen dhe del se ka zbritje.
Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori”, thotë se ky është vetëm mashtrim eklatant për konsumatorët. “Ky veprim është vetëm mashtrim eklatant për konsumatorët. Kjo duhet edhe të kontrollohet nga inspektorati. Për mendimin tim një zbritje e tillë, prej 50 apo 70 për qind është e palogjikshme. Po ashtu, ka raste kur vetëm luhet me çmimin dhe nuk bëhet zbritje fare. Këto veprime nga ana e bizneseve po bëhen çdo vit dhe nuk po parandalohen nga askush”, tha Kaçaniku, shkruan gazeta Lajm.
Në anën tjetër, Naim Haziri, punëtor në butikun “Adidas”, tha se gjërat që shiten me çmim në zbritje nuk kanë fare fitim, sipas tij, kjo vjen nga konkurrenca e fortë dhe malli mbetet pa u shitur dhe se me të vërtetë ka zbritje të çmimeve.
Ai ka theksuar se 95 për qind e çmimeve që janë në zbritje janë reale dhe se gjatë zbritjeve sezonale deri në 75 për qind e mallit futet në zbritje, por varet nga pronari se çka do të fusë në zbritje. /Telegrafi/