ZRRE bën gati tarifat për rrymë
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka nisur shqyrtimin e shtatë të tarifave të energjisë elektrike. Ky shqyrtim ka nisur më herët se gjashtë shqyrtimet e kaluara, që zakonisht fillonin në muajin dhjetor. Shqyrtimi i shtatë do të jetë i veçantë, pasi do të shqyrtohen të hyrat e lejuara për gjenerim, KOSTT dhe Distribucion për pesë vitet e ardhshme.Caktimi i të hyrave të lejuara nënkupton caktimin e tri prej komponentëve kryesorë që e ndërtojnë tarifat e energjisë elektrike. Kësisoj, në muajin mars kur do të merret vendimi i ZRRE-së për të hyrat e lejuara për gjenerim, Distribucion dhe KOTT do të mësohet edhe trendi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike për pesë vite. E tarifat që do të paguajnë konsumatorët do të vazhdojnë të caktohen në baza vjetore. Po në muajin mars do të vendoset edhe për tarifat e energjisë elektrike për vitin e ardhshëm.
Ardian Berisha, kryesues i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ka thënë se ky shqyrtim shumëvjeçar është obligim që del nga legjislacioni i ri. Sipas legjislacionit ekzistues në fuqi, ai ka thënë se ZRRE-ja do të caktojë të hyrat maksimale të lejuara për periudhë pesëvjeçare për segmentet e gjenerimit, transmisionit dhe shpërndarjes. “Megjithatë, këto të hyra do të azhurnohen në baza vjetore kryesisht për të reflektuar ndryshimet në mes të rrjedhës së parashikuar dhe asaj të realizuar të energjisë elektrike dhe çmimeve të parashikuara dhe atyre të realizuara të shitblerjes së energjisë”, tha Berisha.
Shqyrtimi shumëvjeçar i të hyrave të lejuara, sipas tij, është praktikë e vlerësimit të kostove të operatorëve të rregulluar që tashmë aplikohet ndërkombëtarisht. “Në shqyrtimet tarifore të vitit 2010 dhe 2011, ZRRE-ja nuk ka lejuar rritjen e tarifave të energjisë elektrike, edhe pse të licencuarit kanë dorëzuar kërkesa për rritje të ndjeshme të tarifave”, ka thënë Berisha, shkruan Koha Ditore.
Ndërsa në shqyrtimin e fundit ZRRE-ja kishte miratuar një rritje prej 8.9 për qind, e cila ishte ndikuar në masë të madhe nga Vendimi i Qeverisë dhe ai i Kuvendit të Kosovës për rritjen e tantiemës në thëngjill për rreth 1000 për qind (nga 0.27 në 3 euro për tonë). Po ashtu në rritjen e fundit ka ndikuar edhe hyrja në fuqi e ligjit të ri për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe importi i energjisë elektrike. /Telegrafi/