LAJMI I FUNDIT:

Energjia diellore me potenciale të madh

Energjia diellore me potenciale të madh

Është mbajtur tryeza me temë “Shfrytëzimi i energjisë alternative në zonat rurale”, organizuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë të Kosovës (IADK). Në këtë tryezë ishin të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik si dhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të BE-së në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, rikujtoi se bujqësia në Kosovë kontribuon me 12 për qind në produktin e brendshëm bruto, ndërsa nga aspekti i ndikimit ndotës në ambient përbën rreth 13 për qind të totalit të ndotjes.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe vendet e zhvilluara kanë si objektiv reduktimin e efektit serrë deri në masën 20 për qind, dhe shfrytëzimin e energjisë nga burimet alternative deri ne 20 për qind për periudhën deri në vitin 2020. Formula 20:20:20., siç u shpreh ai, në Kosovë nga qeveria dhe specifikisht nga Ministria e Bujqësisë nuk janë alokuar thuajse fare fonde në drejtim të inkurajimit të përdorimit të energjisë alternative.


Bunjaku përmendi se IADK-ja me kontributin e donatorëve nga Gjermania, Finlanda dhe Suedi ka filluar një iniciativë për promovimin e përdorimit të energjisë alternative në bujqësinë e Kosovës.

Eksperti gjerman Bernd Sitzmann prezantoi rezultatet e një studimi të fizibilitetit, financuar nga fondi i donatorëve të IADK-së, për të vlerësuar potencialin e aplikimit të llojeve të ndryshme të energjisë alternative në bujqësinë e Kosovës. U tha se nga analiza e bërë prej formave të energjisë alternative të cilat mund të përdoren si biomasa, biogazi, energjia e erës dhe energjia diellore, në Kosovë potencialin më të madh e ka energjia diellore, e cila ka edhe kthimin më të shpejtë në investim krahasuar me format e tjera të energjisë alternative.

Basri Hyseni, drejtues i Departamentit të Hortikulturës dhe përgjegjës për energjinë alternative në IADK, prezantoi format e përdorimit të energjisë diellore në bujqësinë e Kosovës . Sipas tij energjia diellore mund të përdoret me sukses në disa sektorë të bujqësisë, si blegtoria, prodhimtaria e pemëve dhe perimeve, përpunimi dhe bimët për qëllime të ndryshme, si pasterizimi, pompimi i ujit për ujitje, tharja e bimëve dhe frutave të ndryshme.

U përmend nga zyrtari i IADK-së se investimet pilot nga projekti i IADK-së janë në pasterizimin i qumështit përmes energjisë diellore me investim prej mbi 42,000 euro te qumështorja Aldi në Mitrovicë, në pompimin e ujit 4 pompa për ujin me energji diellore me vlerë totale prej 24,000 euro secila si dhe në tharjen e bimëve mjekësore janë bërë investime ne 2 operatorë me vlerë ë 15,000 euro. Planifikohet që një investim tjetër pilot të jetë edhe në pasterizimin e perimeve te ndërmarrja Fitimi në Drenas.

Përfitimet janë mjaft të mëdha në kursim të shpenzimeve të naftës dhe energjisë elektrike, dhe kthimi në investim është për një periudhë të shpejtë kohore. Jetëgjatësia e pajisjeve është 20 vjeçare, që mundëson një shfrytëzim afatgjatë dhe me leverdi në bujqësi. /Telegrafi/