LAJMI I FUNDIT:

A është edhe Trepça një flamur patriotizmi?!

A është edhe Trepça një flamur patriotizmi?!

Kur është fjala për Trepçën, nuk duhet barazuar kritikat e kundërshtarëve politikë me kritikat dhe sulmet që vijnë nga Beogradi. Secili politikan kosovar, pushtetar a opozitar, madje edhe secili qytetar kosovar, shqiptar apo serb (po edhe të tjerë !) ka të drejtë ta ketë qasjen e vet njerëzore, ekonomike, politike e pse jo edhe strategjike për një çështje madhore sikurse është Trepça. Mijëra familje mitrovicase këndej e andej Urës së Ibrit janë mbajtur gjallë në saje të Trepçës, ashtu sikurse që Trepça është mbajtur dhe ngritur në saje të punës vetmohuese të tyre.

Sot askush nuk duket optimist se Trepça do të ngritet në një kompani profitabile për popullin e Kosovës dhe këtu duhet të përqendrohet debati i vërtetë. Një Trepçë e suksesshme, jo vetëm që do ta shpëtonte rajonin e Mitrovicës nga varfëria, porse edhe shtetin e Kosovës do ta bënte më të bashkuar dhe më sovran. Të thuash se e shpëtuam Trepçën nga Serbia me një ligj, është marrëzi. Apo, një lloj patriotizmi i ngjashëm me atë të Albin Kurtit që pretendon ta “shpëtojë Kosovën nga lufta me Malin e Zi” përmes rrëzimit të demarkacionit! Diskurse të tilla që nuk bazohen në argumente reale, nuk janë të shëndetshme për vendin sot.


Nuk do të kishte heroizëm më të madh sesa të kthehet Trepça në përmasat e një kompanie gjigante, siç ka qenë dikur. Por, gati askush nuk beson se kjo do të ndodh. As në Prishtinë e as në Beograd. Madje, unë mendoj se shqetësimi i Beogradit për Ligjin e aprovuar në Kuvend është i stisur. Shqetësim real i Serbisë do të ishte sikur Trepça të ishte vërtet në pronësi të saj, sepse po bëhen dy dekada që ajo është shndërruar në dinozaur që vetëm gëlltit para të gatshme dhe nuk jep asgjë pos jashtëqitjes. Si dinozaur i tillë, Trepça mund ta bëjë Kosovën edhe më të varfër, dhe do të mund ta bënte më të varfër edhe një pronar ekonomikisht më të fortë!

Sot Beogradi e përdor Trepçën si një kartë politike për ta shantazhuar Kosovën dhe për të nxjerr benefitet e veta politike nga negociatat me Brukselin. Serbia e di se pretendimet e saj nuk janë legjitime e as të arsyeshme. Këtë nuk mund të mos e dinë edhe “patriotët” shqiptarë që duan të shfaqen si heronj me zhurma e bubullima duke u krekosur se e nxorën zogun e pulës nga kthetrat e gjeraqinës!

Neve na duhen heronjtë që provojnë ta ngritin në këmbë këtë gjigant, nëse vërtet kjo ia vlen të provohet. Nëse ky gjigant nuk ka gjasa të ngrihet, na duhen heronj që na tregojnë se një gjë e tillë nuk është e mundur. Madje, edhe nëse mendohet se një provë e tillë është kontraproduktive, duhet të na thuhet hapur dhe me kohë. Kosova nuk ka as para e as kohë për të humbur. Ekspertët e ekonomisë dhe të biznesit, në bazë te marketit aktual dhe trendit perspektiv për produktet si ato të Trepçës (ofertës dhe kërkesës në treg) duhet ta parashikojnë realisht nëse ky Ligj e ngjall dhe e rimëkëmbë Trepçën, apo e bën të kundërtën.

Qytetari që jep votën dhe pret me vite që gjendja e tij dhe e fëmijëve të tij të përmirësohet, ka të drejtë të jetë skeptik dhe të ndihet i mashtruar nga kjo klasë politke në pushtet, po edhe nga ajo pjesë e opozitës që po mundohet të marrë autorësinë e hartimit dhe aprovimit të disa dispozitave ligjore. Ai ka të drejtë, deri atëhere kur të provohet ndryshe, të mendojë se ky Ligj është një altërnativë e patriotizmit steril në kohën kur po mungojnë rezutatet reale nga premtimet zgjedhore. Kosovarët nuk kanë nevojë për fjalë e aktrim të bukur që nuk sjellin asgjë në sofrat e tyre, por për politika reale që e lëvizin vendin përpara dhe ua përmirësojnë atyre jetën.

Kosova po bëhet gjithnjë e më e varfër dhe ngrohja e shpresave me premtime të parealizueshme është mashtrim që vështirë se do të falet. Prandaj, kushdo që ta valëvis flamurin e patriotizmit, lirisht le ta gjëje një temë tjetër – jo Trepçën.
.