LAJMI I FUNDIT:

Evropa pas Brexit-it

Evropa pas Brexit-it

Presidenti i SHBA-së Franklin D. Roosevelt dikur deklaroi se “e vetmja gjë që ne duhet të kemi frikë është vetë frika.” Referendumi “Brexit” i Mbretërisë së Bashkuar, në të cilin pak më shumë se gjysma e atyre që votuan, zgjodhën të largohen nga Bashkimi Evropian, dështoi se ai nuk kishte tërësisht të drejtë. Ne duhet gjithashtu të kemi frikë njerëzit, të tillë si udhëheqësit populistë të Britanisë, të cilët ushqehen me frikën e publikut për të krijuar situata me të vërtetë tmerruese. Në këtë rast, situata e krijuar mund të sjellë edhe disintegrimin e vetë BE-së.

Pas 43 vjetësh anëtarësi në BE, Britania ka bërë, në atë që mund të quhet mënyra më demokratike e mundshme, një mbyllje në vetvete. Gjithsesi pragmatistë dhe realistë siç supozohet se janë britanikët, ata votuan kësaj here kundër interesit të vet. Duke hedhur poshtë BE-në, ata ka gjasa e kanë dënuar vendin e tyre me varfërim gradual dhe, ndoshta, me disintegrim jo edhe aq gradual, për shkak se udhëheqësit e Skocisë dhe të Irlandës së Veriut, zona të cilat votuan në shumicë dërrmuese të mbeten në BE, kanë thënë se duan që të shkëputen nga Anglia.


Në të vërtetë, ajo që britanikët duhej të kishin frikë qe vetë Brexit. Megjithatë arsyeja, e mbrojtur dobët nga zëra jofrymëzues dhe të pabesueshëm nga estabilishmenti, nuk qe në gjendje të mbijetojë përballë frikës së asaj që mund të ndodhte nëse dera lihej hapur ndaj pjesës tjetër të Evropës dhe botës.

Paradoksi i vërtetë këtu qëndron te fakti se ata që po i thonë “jo” Evropës (duke i bërë jehonë vetos së famshme të Charles de Gaulle ndaj aplikimit të parë të Britanisë për të marrë pjesë në integrimin Evropian) janë britanikët që janë më afër në terma emocionalë me pjesën tjetër të qytetarëve evropianë. Dhe, në fakt, ky mund të jetë problemi.

Njerëzit kanë frikë në të gjithë Evropën – në fakt kanë frikë në të gjithë botën. Mbi të gjitha, ata kanë frikë nga globalizimi, i cili, në këndvështrimin e tyre, ka sjellë “të tjerë” kërcënues në jetët e tyre të përditshme, “të tjerë” që mund të cënojnë jetët e tyre ndërkohë që përbëjnë përfitim vetëm për elitat. Ata kanë frikë për sigurinë dhe vendet e punës – dhe kanë të zemëruar ndaj udhëheqësve që kanë dështuar të mbrojnë interesat e tyre.

Rezultati është që “ata që nuk kanë” janë kthyer gjithnjë e më shumë kundër elitave të privilegjuara dhe për rrjedhojë kundërshtojnë hapjen që këto elita pëlqejnë, duke kërkuar si alternativë një rikthim në atë që e shohin si një e shkuar më e sigurtë ku gjërat janë më të parashikueshme. Nostalgjia qe forca udhëheqëse pas fushatës për dalje të Britanisë nga BE siç qe edhe dëshira për të ndëshkuar batakçinjtë në udhëheqje.

Vota Brexit nuk qe një rastësi dhe as nuk duhet të shikohet si surprizë. Ajo qe rezultat i frikërave të ushqyera prej kohësh dhe lodhjeve, megjithëse dikush mund të mos e kishte pritur një rezultat të tillë, për shkak se për shumë britanikë, instikti duhej të bëhej një pikëmbërritje më shumë se sa një pikënisje. Në çdo rast, pak vite më parë, këto instikte nuk do t’ia dilnin ta nxirrnin Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja. Pati një keqllogaritje të rëndë politike që e bëri të mundur këtë tragjedi politike.

Një nga leksionet më të rëndësishme të fushatës Brexit është që kur politikanët përpiqen të manipulojnë emicionet e shoqërisë për qëllimet e veta, siç bëri kryeministri David Cameron, gjërat mund të dalin jashtë kontrolli me shpejtësi. Duke i hedhur benzinë zjarrit të frikës dhe lodhjes, Cameron i dha vetes dhe partisë së tij fitoren në zgjedhjet e vitit 2015, por prodhoi gjithashtu zjarrin e madh që përvëloi partinë e tij, trashëgiminë e tij dhe vendin e tij.

Problemi për pjesën tjetër të Evropës është që Brexit mund të shërbejë si acelerator për pasionet e tjera popullore, ku figura të pavlera populiste janë të lumtura ta ndezin këtë zjarr. Edhe Donald Trump, kandidati për president i republikanëve në SHBA, ka shprehur mbështetjen e tij për Brexit; pavarësisht mungesës së informimit të tij, ai e kupton se sa i fuqishëm është premtimi “për ta rimarrë vendin tënd”. Dhe njerëzit si Trump nuk duken të shqetësuar shumë për pasojat. Ata nuk janë Winston Churchill modernë.

Përmasat në të cilat Evropa do të shpërbëhet dhe pasojat e këtij procesi mbeten për t’u parë. Por është e arsyeshme të prësim që lëvizjet populiste dhe për pavarësi në Evropë dhe më gjerë të ndjehen të frymëzuara nga kjo lëvizje. Imazhi i Evropës si një ide në dukje në rënie natyrisht që do të dëmtojë ndikimin e saj të butë.

Ndërsa roli i Evropës në skenën ndërkombëtare është i kërcënuar, udhëheqësut duhet urgjentisht të ndërmarrin një rivlerësim të vetes në shkallë të gjerë, qoftë në kuptimin e drejtpërdrejtë, qoftë si metaforë. Ata duhet të zbulojnë se çfarë kanë bërë – apo nuk kanë bërë – dhe që ka shkaktuar humbjen e besimit te qytetarët e vet si dhe të hartojnë një plan, në nivel kombëtar dhe të BE-së, për të rifituar besimin.

Në mënyrë thelbësore, një vlerëzim i tillë duhet t’i paraprijë shtytjes për integrim më të madh. Nëse BE-ja nis një përpjekje në panik për të ecur përpara, ajo do të tregojë se i mungon të kuptuarit të asaj që çfarë po ndodh realisht.

23 qershori 2016 nuk do të hyjë në histori si dita e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar, siç pati premtuar Boris Johnson, ish-kryebashkiak i Londrës dhe udhëheqës i fushatës për dalje. Por ajo mund të mbahet mend si dita kur evropa më në fund u zgjua, duke kuptuar se, për të siguruar të ardhmen e vet, opsioni i vetëm është që të angazhohet për ta rikrijuar vetveten. /Project Syndicate/reporter.al/