LAJMI I FUNDIT:

Më fal bir, që zgjodha të të rris në këtë vend!!

Më fal bir, që zgjodha të të rris në këtë vend!!

Armando Meta

Çdo ditë që zgjohemi, ndjejmë trishtim të thellë pse vendosëm të ndajmë fatin e jetës në këtë vend. Shpresonim se gjërat një ditë do të mund të fillonin të përmirësoheshin dhe se ky vend do mund të bëhej normal. Në fakt, lëndimi më i madh nuk është pse ne zgjodhëm të qëndrojmë. Brenga më e madhe është pse vendosëm të rrisim fëmijët në një vend si ky i yni, që nuk është më i yni. Ai është tashmë prona e një tufe kopukësh, monstrash, injorantësh, të fortësh, maskarenjsh, hajdutësh të pacipë, peng i disa bandave politike.


Realisht, të vjen turp që si i zënë në kurth, je i detyruar të vijosh jetën në këtë vend ku e gjithë struktura e shoqërisë dhe ajo njerëzore është shpërfytyruar në përmasa të frikshme. Ndaj biri im dua të të kërkoj falje që zgjodha të të rris në këtë vend!

Kjo është mizerja e përditshmërisë sonë, që shpesh përpiqemi ta shpërfillim, të sillemi si indiferentë, të kthejmë kokën mënjanë, apo thjeshtë të mos e mendojmë duke u justifikuar se “boll jam i stresuar”. Por, mjaftojnë lotët e një fëmije që dhunohet barbarisht, pikërisht nga ato që paguhen për t’u kujdesur për ta, për të parë si në pasqyrë se në çfarë llumi notojmë.

Pamjet dhunës shtazarake të pronares së kopshtit privat “DIREN”, Anjeza Shabani (Anja), ndaj një fëmije vetëm tre vjeç, të ngjethin mishin. Dora tij e brishtë që ngrihet në një përpjekje dëshpëruese për t’u mbrojtur nga dora e dhunshme e Anjës, nuk mund të të mos përlot. Klithmat e atij fëmije të njomë, lotët që i rrokullisen nëpër faqe, fytyra e tmerruar dhe përpjekja për t’u fshehur dëshpërimisht qoftë edhe pas përparëses së edukatores tjetër, të ngjethin mishtë. Kulmi arrin që pasi e ka dhunuar i bën edhe fotografi për ta nxjerrë në FB.

Nuk arrin dot ta besosh se si mund t’ia bëjë këtë një njeri, një qenie tjetër njerëzore. Aq më shumë një fëmije që është krejtësisht i pambrojtur. Por, kur mendon pak më thellë kupton se “Anja” nuk është një rast i izoluar. Ajo është produkt i një sistemi të tërë që ka shkatërruar çdo qelizë humaniteti. Produkt i një sistemi që licencon për kopshte dhe çerdhe çdo garazhd apo vilë, pavarësisht origjinës së parave dhe kushteve higjeno- sanitare dhe pedagogjike. Produkt i një sistemi që pasi merr paratë nën dorë për këto palo-çerdhe apo kopshte, nuk merr më mundimin për t’i kontrolluar. Produkt i një sistemi ku fatkeqësia e të tjerëve kthehet në biznes për drejtësinë. Produkt i një sistemi ku institucionet shtetërore ja kanë mbathur në drejtim të paditur. Produkt i një sistemi ku ata që e kanë ndërtuar një sistem të tillë janë të parët që “bërtasin” kundër sistemit. Produkt i një sistemi që nuk ka më asnjë ndjeshmëri njerëzore, që askujt nuk i dridhen “leqet e këmbëve” për fatkeqësitë që u shkakton të tjerëve.

Ai fëmijë na tregon sesi nuk funksionon asnjë institucion në këtë vend dhe se jeta jonë dhe e fëmijëve tanë është në mëshirë të fatit. Kurrë, në gjithë historinë e ekzistencës së vet, ky vend nuk ka qenë kaq i pafytyrë, duke u kthyer çdo ditë e më shumë në një vend të pabanueshëm. Ai fëmijë është vetëm ana e dukshme e mijëra dramave të tjera, të cilat mbyten në heshtje mes gëlltima lotësh. Ai fëmijë na bën të na vije turp pse zgjodhëm këtë vend të rrisim fëmijët tanë.

Ndaj, më fal bir, që zgjodha të të rris në këtë vend! Ky nuk është më vendi ynë. E kemi humbur tashmë përfundimisht. Është vendi i “Anja”-ve.