LAJMI I FUNDIT:

“Fatmir Limaj nuk ka probleme me Amerikën”

“Fatmir Limaj nuk ka probleme me Amerikën”

Para 15 viteve Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, kishte shpallur një emergjencë kombëtare në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u marrë me kërcënime të pazakonta dhe të jashtëzakonshme ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Ky vendim prekte direkt me emër e mbiemër personat e angazhuar që sipas SHBA-së, ndihmojnë, sponsorizojnë apo mbështesin dhunën ekstremiste në Maqedoni, Bosnjë dhe Kosovë. Të njëjta masa janë miratuar edhe 15 vite më vonë nga Presidenti i tanishëm Barack Obama.


Lexo po ashtu: Këta janë personat nga Kosova që vazhdojnë të mbesin në “listën e zezë” të SHBA-ve (Lista)

Nga Kosova vazhdojnë të jenë në listë emra kryesisht nga lufta e fundit dhe tashmë të përfshirë në politikë. Disa nga ta janë Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Sami Lushtaku, Daut Haradinaj, Ramiz Lladrovci, Emrush Xhemajli, Azem Syla dhe të tjerë.

Lajmi.net ka arritur të marr një koment nga këshilltari i Limajt, Endrit Shala.

Ky i fundit refuzon ta quaj ‘listë të zezë’. Ai thotë se është vetëm një listë e Departamentit Amerikan të Thesarit (OFAC).

“Emri i Limajt në këtë listë ka të bëj vetëm me gjykimin e tij në Tribunalin e Hagës. Këtë mund ta vërtetoni në listën zyrtare”, deklaroi Shala.

Ai shton se Limaj asnjëherë nuk ka pasur problem për të udhëtuar në SHBA dhe s’ka asnjë problem me këtë shtet, por në fakt nuk e di saktë pse emri i shefit të tij është ende në këtë listë.

“Nuk e di pse ka mbet emri aty. Mendoj se shteti, konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme, do të duhej të merrej me këtë çështje dhe të sqaronte, por nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Ne nuk mund të merremi vet me këtë punë si individ sepse është çështje ndërmjet institucioneve shtetërore”, është shprehur Shala.

Për të parë listën e plotë ku ka edhe emra të tjerë të shqiptarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës, klikoni KËTU.