LAJMI I FUNDIT:

Faturat e ujit “paushall”

Faturat e ujit “paushall”

Qytetarë të shumtë të Prishtinës, përpos reduktimeve të ujit, ata faturohen edhe për ujin që nuk e kanë. Ata ankohen se faturat u shkojnë të vlerësuara kuturu dhe se nuk llogaritet saktë njehsori matës i shfrytëzimit të ujit.

Sofije Rexhepi, banore e lagjes “Ulpiana”, tregon se që dy muaj rresht faturat e ujit i vijnë nga 26 euro, gjë që është krejtësisht e pamundur, duke theksuar se në banesën e saj jetojnë vetëm 3 anëtarë dhe se pjesën më të madhe të ditës nuk ndodhen në shtëpi, duke kaluar ditën nëpër punat e tyre, duke shtuar se një gjë e tillë i shqetëson shumë.“Qe dy muaj rresht, faturat më kanë ardhur nga 26 euro, kjo gjë është e pamundur po ta mendoje logjikisht”, ka thënë Sofija.

E pyetur se a është ankuar për një gjë të tillë, ajo thotë se po, por drejtoria e Ujësjellësit është arsyetuar duke ia lënë fajin orës së ujit, ku e gjithë ndërtesa funksionon me të njëjtën orë.


Edhe një tjetër banore në një banesë në Prishtinë, Arbëresha Lajqi, faturat e ujit i sheh të larta, duke theksuar se një banesë e vogël, ku aty përpos larjes së teshave, enëve, si dhe përgatitjes së ushqimit, nuk mund të harxhojë kaq shumë. Lajqi thotë se nuk ka mundësi që faturat gjithëherë të jenë të njëjtat, janë apo s’janë aty, faturat u vijnë të njëjta, gjë për të cilën ajo thekson se për çdo muaj paguan mbi 10 euro. “Unë nuk kam qenë 8 muaj këtu dhe faturat më kanë ardhur me të njëjtën vlerë dhe se kjo gjë është absurde”, ndër të tjerash thekson Lajqi.

Nuk janë të vetmit këta, që faturat e ujit i konsiderojnë të larta, është edhe Habib Hyseni, banor i Prishtinës, që faturat e ujit i vlerëson gjithashtu të larta, duke krahasuar se sa e përdorin ujin dhe se sa kanë ujë, ai i vlerëson të larta, duke thënë se më shumë pa ujë se sa me ujë, por sa u përket faturave nuk ia “huqin” asnjëherë. “Më shumë pa ujë se sa me ujë, por sa u përket faturave, janë të larta, nuk ka mundësi që një banesë të harxhojë njësoj sa një shtëpi private dhe të harxhojë njësoj për çdo muaj”, ka thënë Hyseni.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Ujësjellësit të Prishtinës e mohojnë një gjë të tillë, duke thënë se kanë filluar të praktikojnë këtë “fryrje” të faturave si me rastin e fundit, atë të KEK-ut!. Zëdhënësja e Ujësjellësit të Prishtinës, Arbërie Zogiani, i hedh poshtë, bile thotë se as ankesa nuk ka pasur nga qytetarët për një gjë të tillë.

Me të dëgjuar se qytetarët edhe pse nuk jetojnë për një kohë të gjatë në banesën që furnizohen me Ujësjellësin e Prishtinës, ajo thotë se “nuk jemi të detyruar që t’i shikojmë se kush banon aty, se sa janë shtuar anëtarët, kush është martuar etj.”. “Banorët që nuk banojnë aty, duhet të lajmërohen, sepse disa banesa funksionojnë me të njëjtën orë matëse të ujit, që janë të vjetra dhe se ata përpjesëtohen me banesat e hyrjes dhe del shuma e njëjtë për të gjithë”, ka thënë ajo.

Mes tjerash kjo zyrtare e Ujësjellësit shton se ankesat janë duke u bërë në mënyrë tendencioze. /Zëri/Telegrafi/