LAJMI I FUNDIT:

Ferronikeli i kërkon FSHF-së të luajë në Elbasan

Ferronikeli i kërkon FSHF-së të luajë në Elbasan

Në klubin kampion të Kosovës, Ferronikeli, besojnë se stadiumi olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë do të bëhet gati për t’i zhvilluar ndeshjet e fazës së parë eliminatore për Ligën e Kampionëve që nisin në fund të muajit të ardhshëm.

Por, për të mos ia lënë rastit, krerët e klubit nga Drenasi kanë bërë kërkesë në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) që kjo e fundit t’ia sigurojë një stadium që plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve të nivelit evropian, shkruan kohaditore.


Tash për tash janë dy stadiume të këtij niveli, ai në Elbasan dhe në Shkodër, që është në përfundim e sipër. Pra, tash për tash, opsion mbetet Elbasani.

Në klubin nga Drenasi thonë se në fund të javës do të marrin përgjigje edhe nga UEFA nëse i plotësojnë të gjitha kriteret që kërkohen. Por, siç thonë te kjo skuadër, gjithçka rreth kritereve të tjera, pos infrastrukturës, është plotësuar.

“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, ndërsa për pjesën financiare të mërkurën vjen një komision nga UEFA. UEFA-s do t’ia paraqesim raportin e auditorit edhe deklarimin që nuk kemi borxhe. Do ta paraqesim edhe planin për të ardhmen se si mendojmë të financohemi dhe nga i planifikojmë të hyrat. Sa i përket infrastrukturës, ne kemi bërë një kontratë me Mitrovicën dhe i kemi dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit një kërkesë për të na siguruar një stadium për t’i zhvilluar ndeshjet kualifikuese. Mund të them se ne jemi gati”, ka thënë drejtori i klubit, Artan Berisha, të hënën, për gazetën.