LAJMI I FUNDIT:

“Festa e Muzikës” sot në Prishtinë

“Festa e Muzikës” sot në Prishtinë

Festivali “Festa e Muzikës”, i organizuar nga komuna e Prishtinës, do të mbahet sot në kryeqytet me performancën e Grupit të fëmijëve të Aleancës Franceze dhe me Korin e fëmijëve kosovarë.

Ky aktivitet kulturor-artistik fillon nga ora 10:00. Ndërsa, në mesditë do të performojnë bende të reja dhe prej orës 17:00 do të performohet nga Filarmonia e Kosova vepra “Pjetri dhe Ujku”.


Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci, duke shpalosur programin e këtij festivali nëpërmjet konferencës për medie tha se “Festa e Muzikës” ka filluar të bëhet tradicionale në kryeqytet.

Është viti i tretë i këtij Festivali që organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Francës, Aleancën Franceze dhe me Filarmoninë e Kosovës.

Zëvendësambasadorja e Francës në Prishtinë, Lise Moutoumalaya, e ka quajtur ngjarje speciale, e cila është themeluar para 35 viteve. Ajo tha se ky festival festohet në tërë botën dhe shprehet e kënaqur që edhe Kosova është pjesë e kësaj ngjarje të madhe kulturore botërore.

Njëkohësisht, drejtoresha Bogujevci ka ftuar qytetarët e Prishtinë që të marrin pjesë në këtë festival kulturor-artistik , ngase sipas saj është mjaft i pasuruar.