LAJMI I FUNDIT:

Filloi ndërtimi i ndërtesës për ARM-në

Filloi ndërtimi i ndërtesës për ARM-në

Me vendosjen e gur-themelit në lokalitetin prapa kazermës “Ilinden” në Shkup sot do të fillojnë punët ndërtimore për ndërtimin e ndërtesës së parë me banesa për pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë, si pjesë e projektit “ARM – shtëpia ime e vërtetë”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas projektit, ndërtesa e parë duhet të jetë me 32 banesa, njëdhomëshe, dydhomëshe dhe tredhomëshe. Do të përbëhet nga bodrumi, përdhesa dhe katër kate. Në bodrum do të jenë të sistemuara garazhet, në përdhesë është parashikuar hapësira afariste, ndërsa në katër katet janë banesat për nevojat e pjesëtarëve të ARM-së. Krahas garazheve, mungesa e hapësirës për parkim konform regullores për projektim të ndërtesave të banimit është zgjidhur me vende parkimi në kuadër të parcelës ndërtimore.


Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, deri më tani janë paraqitur mbi 250 pjesëtarë të Armatës, të cilët janë të interesuar që ta zgjidhin çështjen e tyre të banimit përmes këtij projekti.

Çmimet me të cilat do të blihen këto banesa janë të barabarta me çmimin e ndërtimit të banesës, ndërsa do të paguhen në 24 këste. Blerësit e banesave do të duhet të sigurojnë 20 përqind pjesëmarrje. /Telegrafi/