LAJMI I FUNDIT:

Fitorja e humbësit: Xherëmi Korbin, një dorë e keqe letrash në bixhozin politik britanik

Fitorja e humbësit: Xherëmi Korbin, një dorë e keqe letrash në bixhozin politik britanik

Arben Manaj

Të fitosh partinë nuk do të thotë automatikisht të fitosh pushtetin, aq më tepër në Britani. Rizgjedhja e udhëheqësit laburist britanik Xherëmi Korbin, nga shumica e anëtarësisë së partisë së tij, që nisur nga numri i atyre që e votuan, pak më shumë se 300 mije veta, është një pikë në oqeanin e elektoratit britanik, faktikisht mund të shënoj mos qënien e saj më, si një force politike serioze dhe kredibël në Britani, pas 116 vjetësh ekzistencë.


Ish-minatorët, punonjësit e hekurudhave dhe inxhinierët e fillimshekullit të kaluar që votuan në atë botë , pikërisht me 27 shkurt të 1900-ës për krijimin e Partisë Laburiste, do spërdridheshin në varr e do tmerroheshin po të dëgjonin se çfarë po ndodh me partinë që ata krijuan.

Të tmerruar ndihen edhe ata që nuk kanë votuar dhe dukshëm nuk kane për të votuar ndonjëherë laburistët, aq më tepër me këtë lider.

Armata e Krobinit e përbërë nga një amalgamë e frikshme ektremistësh të majtë, idealistë demode, studentë që nuk e dinë ku bien qendrat e votimit, apo te përkëdhelur nga familje që i sponsorizojnë ata me shuma monetare jashtë logjikës, akademikë që jetojnë në kullën e tyre të fildishte të auditorëve, e të shkëputur nga jeta e përditshme, baron sindikatash të majmur e maoistë e trockistë, që u ka mbetur ora në kohën e Revolucionit të Tetorit atë Kulturor. Në virtualitetin e tyre ideologjik, ata janë shumë larg shtresës së mesme të shoqërisë moderne britanike, janë larg Britanisë së vërtetë, të supermaketeve, periferive urbane, qendrave të gjelbëruara, “X-Factor-it”, “Strictly Come Dancing” e teledramave te ditës si “Victoria” apo Premier League-s angleze.

Një pjesë e tyre dhe udhëheqësve të saj aktual, mendojnë se kapitalizmi britanik është shpikje e medias sioniste dhe jo një realitet i Britanisë moderne, të cilën ata e urrejnë me kohë të pjesshme, duke jetuar rehat në të, gjate pjesës së mbetur.

Këto specie politike dhe tërë spazma akute emocionale, do ishin pikasur menjëherë nga shkrimtari majtist Xhorxh Oruelli, edhe sikur sot të shkruante ato që ai i ka pas shkruar në 1941-in, për të Majtën britanike të asaj kohe, të cilët i ka portretizuar në veprat e tij.

Udhëheqësi laburist Xherëmi Korbin, një marksist-leninist tipik, pavarësisht retorikës se tij për një politike ndryrshe nga ajo e kompromisit në politikën moderne, është shumë larg jo me Toni Blerit, njeriut që i nxori laburistët nga harresa politike dhe historike drejt pushtetit.

Po ashtu, edhe ish-udhëheqësve të lavdishëm të Laburistëve të shndërruar në kryeministra si Remsi MekDonald, i cili në 1924 solli laburistët për herë të parë në pushtet, pas sundimit të gjatë të Liberalëve britanik apo Klement Atlit, që fitoi në 1945 menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria e të cilit krijoje NHS (Shërbimin Kombëtar Shëndetësor falas) dhe ndihmojë në krijimin e NATO-s.

Apo edhe Herrëlld Uillsën në vitet ‘60-ta të shekullit të kaluar, kur hoqi dënimin me varje dhe legalizojë homoseksualitetin.

Laburistët edhe pse instiktivisht do tentojnë drejt mbijetesës politike, dhe personale, ka pak gjasa që të rikthehen në pushtet me një udhëheqës të tille si Xherëmi Korbin, i cili vërtetë është shumë larg në pamje dhe në përmbajtje nga politikanët kontemporan, edhe pse kjo nga ithtarët e tij, shihet si pikërisht ajo që i mungon politikes britanike, qoftë edhe në imagjinatën e tyre, kjo.

Por, ata janë larg pushtetit më shumë se kurrë gjatë tërë historisë së tyre 116-vjeçare si parti politike.

Një sondazh i dy ditëve më parë nga YouGov tregonte se më shumë se gjysma e votuesve, që kishin mbështetur Partinë Laburiste në zgjedhjet e fundit dhe kishin votuar për Brex-it, tashmë nuk do votonin më për këtë parti.

Qëkur unë, personalisht, kam lindur dhe për sa unë kam jetuar në Britani, tash mbi 23 vjet, vetëm një lider laburist i ka sjell ata në pushtet, madje, për tre mandate rresht, dhe ai ka qene Toni Bler. Kam frikë se sa të jem gjallë, nuk do shoh më që kjo parti të vij sërish në pushtet.

Ardhja në skenën e historisë britanike të kometës politike, me emrin Xherëmi Korbin, duket se është një dorë e keqe letrash në bixhozin politik britanik.

Ai bën pjesë në plejadën e politikanëve-proletar të shumë vendeve të bashkuara për t’u mos zgjedhur dhe ardhur në pushtet.

Kjo është e vërteta e hidhur e një fituesi humbës, që koha deri në zgjedhjet e ardhshme, ka gjasa të dëshmoj se sa kohë e humbur ëshëe rizgjedhja e tij, dhe sesa me fat janë konservatorët e qendrës së djathtë që luajnë futboll politik me një ekipi politik i barasvlefshëm me atë të klasit të Lihtenshtajnit në futboll.

Xherëmi Korbin ka gjasa të jetë kryeministri i ardhshëm i Britanisë, aq sa kam unë shanse të jemi Xhejms Bondi i ardhshëm britanik.