LAJMI I FUNDIT:

Fondi për veriun ndryshon buxhetin

Fondi për veriun ndryshon buxhetin

Krijimi i Fondit për Zhvillimin e Veriut, si produkt i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vlerësohet se do të ketë implikime në ndryshimin e Ligjit për buxhet.

Përderisa qeveria e pati arsyetuar formimin e këtij Fondi të veçantë për veriun me faktin se tani do të mund të kontrollojë dhe menaxhojë projektet zhvillimore në atë pjesë, disa deputetë nga radhët e opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se ky Fond do të varfërojë tutje buxhetin e Kosovës.

Projektligji për rishikimin e Ligjit për buxhet tashmë është futur në procedura parlamentare dhe ka kaluar në Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës. Kurse të enjten, pritet votimi i parë për miratimin e tij në parim.

Deputeti Visar Ymeri, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje specifikon se çfarë parashihet në nenin 2 të këtij ligji për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit.

“Të gjitha paratë publike të mbledhura prej mallrave të importuara nga bizneset e regjistruara në veri të Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, të cilat janë destinuara për konsum në këto komuna, në momentin e hyrje në Kosovë për mes pikave doganore në Jarinë pika 1, dhe Bërnjak pika 31, duhet të dërgohen në fondin e Kosovës duke u identifikuar dhe regjistruar veçanërisht, SIMFK dhe të ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit që do të krijohet nga përfaqësuesi special në Kosovë, në një bankë komerciale”, thotë Ymeri, transmeton Rel.

Ndërkohë, deputetja Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, thotë se edhe pse rishikimi i buxhetit është votuar në Komision, ende nuk dihet sa është shuma e këtij Fondi, dhe për çfarë periudhe kohore vlen.

Ndërsa rithekson pozicionin e LDK-së në mbështetje të negociatave me Beogradin që po zhvillohen në Bruksel, deputetja Bajrami konsideron po ashtu se me themelimin e Fondit për Zhvillimin e Veriut po krijohet një hapësirë që agjencitë dhe komunat tjera të kërkojnë të kenë fonde të veçanta.

“Sa i përket impaktit financiar në buxhetin e Kosovës, nuk mund të jap ndonjë vlerësim të veçantë sepse nuk e di sa është numri i bizneseve të regjistruara në veri dhe cili është aktiviteti i tyre tregtar. Do të thotë varet prej shumë parametrave. Mirëpo mund të them se është një kompromis i dhimbshëm për arsye se definitivisht ne nuk konsiderojmë se veriu i Kosovës është më i pazhvilluar se jugu ose diçka tjetër”, thotë ajo.

Shumë kritik në raport me krijimin e këtij Fondi, shprehet deputeti Visar Ymeri.

Sipas tij shpenzimi paralel i buxhetit do realizohet pa ndonjë plan dhe pa ditur se cilat do të jenë përfitimet.

“Ky buxhetit paralel po financohet nga paratë publike të Republikës se Kosovës, po i ndahet një pjesë e buxhetit shumë varfër të Republikës se Kosovës, një pjesë e caktuar të territorit të Kosovës dhe një grupi të caktuar shoqëror të Kosovës, pa pasur kurrfarë plani. Pastaj se ku do të shpenzohen, çfarë dobish do të kemi ekonomike nga shpenzimet, dhe si do të funksionojë dhe forcojë shtetin dhe ekonominë e Kosovës”, thekson Ymeri.

Sidoqoftë, përfaqësues të shoqërisë civile në vend, konsiderojnë se gjatë një viti të hyrat nga pikat doganore 1 dhe 31 që regjistrohen në terminalin e Mitrovicës, por edhe nga shmangiet nga doganimi i mallrave buxheti i Kosovë, arrijnë rreth 50 milionë euro.

Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP” thotë se ajo që ende mbetet e pa zbuluar është se sa për qind e kësaj shume do të shfrytëzohet për krijimin e këtij Fondi.

Ai e quan të panevojshëm krijimin e këtij Fondi, pasi sipas tij, vetëm gjatë tri viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 19 milionë euro për pjesën veriore të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka ndarë fonde për atë pjesë, çka do të thotë se nuk është i nevojshëm një fond i veçantë zhvillimor. Pjesa veriore e Kosovës nuk dallon në aspekt zhvillimor nga pjesa jugore, e aq më tepër kur banorët e kësaj pjese, për shumë vite kanë marrë të hyra, si nga buxheti i Kosovës, po ashtu edhe nga ai i Serbisë", shprehet Demi.

Ai konsideron se krijimi i këtij Fondi do të sakrifikojë një pjesë të projekteve të parapara më buxhetin e vitit 2013. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori