LAJMI I FUNDIT:

Franca pranë recesionit, ekonomia kontraktohet me 0.1%

Franca pranë recesionit, ekonomia kontraktohet me 0.1%

Ekonomia franceze regjistrohet në ngadalësim për të parën herë që prej vitit 2013. Të dhënat i referohen tremujorit të dytë të vitit, dhe janë një ogur i keq për presidentin Francois Hollande dhe ambicien e tij për të rikandiduar në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Zyra kombëtare e statistikave në Francë rishikoi kështu shifrat e tremujorit të dytë, nga një rritje pranë zeros në kontraktim me 0.1 për qind. Kontraktimi i ekonomisë së dytë më të madhe të Eurozonës vjen pas një rritje me 0.7 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit.

Shpenzimet private, që janë edhe lokomotiva e ekonomisë franceze, kanë udhëhequr në fakt një performancë të tillë zhgënjyese. Shpenzimet ranë me 0.1 për qind gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti.

Pavarësisht serisë së gjatë të të dhënave që flasin për një ngadalësim të ndjeshëm të ekonomisë, qeveria e vendit dhe ministri i financave Michel Sapin konfirmuan gjatë javës projeksionet për një rritje të ekonomisë pranë 1.5 për qind gjatë vitit.

Niveli i 1.4 për qind shihet si minimumi i nevojshëm për të nxitur një ulje të papunësisë. Banka qendrore dhe institucionet ndërkombëtare nga krahu tjetër i kanë bërë thirrje qeverisë të rishikojë projeksionet pasi nuk janë realiste. /Telegrafi/