Armët e Bonnie dhe Clyde shiten për gjysmë milion dollarë
Armët e përdorura nga gangsterët amerikanë Bonnie Parker dhe Clyde Barroë, që vdiqën të masakruar nga policia në vitin 1934, janë shitur në një ankand për 504.000 dollarë.Armët ishin pjesë e ankandit të organizuar nga kompania RR Auction dhe të titulluar “Gangsterët, keqbërësit dhe ligjvënësit amerikanë”, që po zhvillohet në New Hampshire.
Bonnie dhe Clyde u bënë të famshëm gjatë periudhës së njohur si Depresioni i Madh për një seri grabitjesh të dhunshme bankash, para se të vriteshin në një pritë të ngritur nga policia në Luiziana më 23 maj 1934.
Mes objekteve të tjera që kanë dalë në shitje në ankand janë edhe disa sende të bosit Al Capone dhe kriminelit tjetër të njohur me pseudonimin Baby Face Nelson.
Revolveri i Bonnie Parker, tip “Colt Detective Special 38”, ishte ai që tërhoqi shumën më të madhe, 264.000 dollarë. Ndërkohë, pistoleta e Clyde Barrow, “Colt 45”, e vitit 1911, u shit për 240.000 dollarë, ndërsa ora e tij e xhepit për 36 mijë dollarë. /TCH/Telegrafi/