Blegtori nga Bolivia, njeriu më i vjetër në botë (Video)

18:01 / 18.08.2013

Zyrtarët në Bolivi besojnë se një blegtor, i cili jeton në një kasolle me shtrojë toke, është njeriu më i vjetër në botë. Sipas tyre, ai është 123 vjeç.

Carmelo Laura Flores është ende me shëndet të mirë, edhe pse moti i ka humbur të gjithë dhëmbët. Ndërsa, gjatë ecjes ka nevojë për një bastun. Me shikim mirë i ka punët, kështu që nuk mban syze.

Carmelo është me origjinë nga fisi indian Aymara, ndërsa sekreti i jetës së tij të gjatë është se han mish të dhelprave, duke shmangur sheqerin dhe brumërat, si dhe fakti që ecën shumë. Është baba i i tre fëmijëve, ka 16 nipër e mbesa dhe 39 stërnipër. Ka lindur më 16 korrik 1890.

Kur është fjala për ushqimin e përditshëm, Carmelo ha kokrra të pasura me proteina dhe aminoacide, ndërsa kohë pas kohe ha edhe mish derri dhe qengji. Është vejan që 10 vjet.

"Kemi ngrënë atë që kemi gjetur në natyrë. Ndonjëherë gatuaja vet, nganjëherë gruaja ime. Kurrë nuk kam qenë dembel. Edhe sot eci çdo ditë”, tha Carmelo.

Kasollja e tij është me çati kashte dhe gjendet në Ande, në afërsi të liqenit Titicaca. Të afërmit e tij thonë se më 1933 ishte në luftë me Paraguain.

Certifikatat e lindjes në Bolivi nuk ekzistonin më 1890, por data e lindjes së tij është gdhendur në listën e pagëzimit. Nëse komisioni i librit Guinness të rekordeve vërteton moshën e tij, Carmelo do të tejkalonte francezen Jeanne Calment, e cila ishte 122 vjeçe kur vdiq më 1997. /Telegrafi/ 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.