Jeton si në Mesjetë (Foto)

17:48 / 14.01.2013

Emma Orbach është vajza e një muzikanti të pasur, ka studiuar në një nga shkollat më të shtrenjta të Britanisë së Madhe dhe pas Oksfordit e mbylli arsimin me një diplomë në gjuhën kineze. Pas këtij fillimi tejet shpresëdhënës, Emma mund të bënte ç’të donte me jetën e saj, por ajo ka zgjedhur që ta kalojë jetën në një kasolle.

58-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, jeton në një zonë rurale të Uellsit pa energji elektrike dhe pa ujë të rrjedhshëm. Nuk bëhet fjalë që në banesën e saj (nëse mund të quhet kështu) të gjesh televizor apo radio. Shkurt, Emma ka vendosur që të kthehet në Mesjetë.

“Kur isha e vogël më pëlqente të rrija jashtë duke mbledhur lule. Nuk jam materialiste, prindërit e mi më kanë mësuar kështu. Jam e lumtur me jetën time. Zgjohem çdo mëngjes pranë natyrës, shoh pemët e bukura dhe yjet gjatë natës. Ndjej se kam një marrëdhënie të veçantë me natyrën”, shpjegon Emma, e cila shton se ka zgjedhur këtë stil jetese pasi do që të dëmtojë sa më pak planetin ku jetojmë.

Ajo lahet në lumë një herë në muaj ose dy herë kur ndjen se i vjen erë e pakëndshme, njofton Top-Channel.

“Pata një ndjenjë se duhet të jetoja pa ndërhyrjen e teknologjive moderne. Mora kasollen në vitin 2000, por bashkëshorti nuk më ndoqi dhe u ndamë. E kuptoj se nuk mund të detyroja familjen të jetonte pa energji elektrike”, ka shtuar Emma. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.