Jezui ka qenë i martuar?!
Studiues të Universitetit të Harvardit në Shtetet e Bashkuara, zbuluan një shkrim të lashtë koptik, sipas të cilit të krishterët e hershëm besonin se Jezui ishte i martuar.Në tekst shkruhet “gruaja e Jezuit” në gjuhën kopte, por nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për bashkëshorte apo për dishepull femër.
Zbulimi u prezantua nga studiuesja Karen L. King në Harvard, gjatë një takimi të studiuesve të shkrimeve kopte. King tha se papirusi i gjetur është e vetmja provë antike me tekst që flet për “gruan” e Jezuit. Megjithatë, shtoi ajo, kjo nuk është bindëse për të besuar që vërtet profeti i krishterimit ishte i martuar.
Dyshimet e saj lidhen me datën e vonë të shkrimit, diku nga mesi i shekullit të dytë pas erës sonë.
Dyshimi tjetër lidhet me mënyrën e përfitimit të dokumentit. King tha se ai i ishte dorëzuar nga një koleksionues veprash antike, me qëllim për ta analizuar atë. Studiuesja amerikane beson se shkrimi është pjesë e një teksti më të gjatë dhe nëse mund të vërtetohet origjinaliteti i tij dhe koha kur është shkruar, është një provë e fortë për të besuar se Jezui ka qenë vërtet i martuar, transmeton “Top-Channel”.
Duke iu referuar zbulimit në fjalë, “New York Times” shkruan se edhe pse me shumë dyshimi, ky studim pritet të rindezë debatin në komunitetin e krishterë që do të kërkojë përgjigjet për pyetjet: a ka qenë Jezui i martuar? Nëse po, a ishte Maria Magdalena bashkëshortja e tij dhe a kishte vërtet një dishepull femër. /Telegrafi/