Miliarderi huligan
Pasaniku rus dhe kritiku i Kremlinit, Aleksandr Lebedev, është ngarkuar me akuzën për “huliganizëm” dhe “sulm” për shkak se kishte goditur me grusht një biznesmen tjetër gjatë një programi televiziv. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me pesë vjet burg.Lebedev, një bankier miliarder dhe manjat i mediave, pretendon se është nën shënjestër nga presidenti Vladimir Putin për arsye politike.
Sipas REL, hetuesit thonë se pasaniku i ka shkaktuar dëmtime trupore Sergei Polonskyt, kreut të Mirax Group, gjatë një debati më 16 shtator të vitit 2011.
Një rast penal qe hapur nga hetuesit rusë menjëherë pas incidentit. Polonsky ka ngritur padi ndaj Lebedevit edhe në një gjykatë në Londër për të njëjtin incident, ku ka kërkuar që t’i kërkohet falje si dhe kompensim. /Telegrafi/