Me muaj të tërë kryengritësit sirianë me armatim jo të mirë po përballen me ushtrinë e presidentit Bashar al-Assad në një luftë aspak të drejtë kur bëhet fjalë për teknologjinë e përdorur nga të dyja palët.
Rebelët luftojnë kryesisht me armë të lehta, ndërsa ushtria besnike e al-Assad ka artilerinë e rëndë, helikopterët, avionët dhe tanket.
Top-Channel njofton se për të qenë sadopak të barabartë në luftën me regjimin, inxhinierët rebelë ndërtuan “tankun e bërë vetë”, një makinë vrasëse me katër rrota mbi të cilën është montuar një mitraloz 7.62 mm që kontrollohet nga brenda me një panel të ngjashëm me atë të video-lojërave.
Blindi “i sajuar” është ndërtuar nga mbetjet metalike të marra nga varreza makinash dhe është në gjendje të përballojë sulmet e topave 23 mm.
Makineria e ideuar nga Mahmud Abud është e gjatë katër metra dhe e gjerë dy metra, në pjesën ballore janë montuar katër kamera kompjuterike që transmetojnë sinjalin drejt katër monitorëve në brendësi, duke i lejuar shoferit të ketë fushëpamje të gjerë. /Telegrafi/
Komente
Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.