LAJMI I FUNDIT:

GIZ inkurajon ATK-në për vazhdimin e reformave tatimore

GIZ inkurajon ATK-në për vazhdimin e reformave tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, sot kanë mbajtur konferencë të përbashkët, në të cilin janë prezantuar rezultatet e anketës me tatimpagues për vitin 2015 lidhur me transparencën efikasitetin, korrektësinë dhe shërbimet e ATK-së, si dhe prezantimi i punës dhe të arriturave të ATK-së deri më tani.


Zëvendës Ministri i Financave, Agim Krasniqi tha se sukseset e arritura të Administratës Tatimore janë falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me organizata ndërkombëtare.

E drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri shprehu mirënjohje ndaj GIZ-së për mbështetjen e vazhdueshme që kanë ofruar për Administratën tatimore dhe Ministrinë e Financave në përgjithësi.

“Edhe kjo anketë, ka këtë qëllim, që t’i identifikojmë të metat tona, aty ku tatimpaguesit konsiderojnë dhe vlerësojnë veprimet tona si të pamjaftueshme në ofrimin e shërbimeve për ta. Bazuar në të gjeturat e kësaj ankete ne do t’i orientojmë aktivitetet tona në mënyrë që tatimpaguesit t’i realizojnë të drejtat e tyre që i takojnë me ligj, dhe nuk do të lejojmë që ato të drejta të cenohen në çfarëdo forme”, ka thënë Imeri.

Ndërsa Alexandra Fehlinger, udhëheqëse e Projektit p ër Reformën e Financave Publike nga Zyra e GIZ-së në Kosovë përgëzoi Administratën Tatimore të Kosovës dhe projektin “Reforma e Sistemeve të Financave Publike në Kosovë” për punën e përbashkët në anketimin e tatimpaguesve për 2015. Ajo tha se vetë fakti i një anketimi me tatimpaguesit sinjalizon se ATK është përcaktuar që më tutje të ndjek agjendën e tanishme të reformave, duke u zhvilluar në një administratë tatimore moderne duke synuar arritjen standardeve të larta, drejt një administrate me transparente, efikase dhe të paanshme.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e ambasadave në Kosovë, Drejtoria e Tatimeve e Shqipërisë, Administrata Tatimore e Malit të Zi, Shoqëria Civile, Odat ekonomike, FMN, Banka Botërore, USAID, EULEX etj.