LAJMI I FUNDIT:

Gjashtë kryetarë komunash shpërfillin raportimin para kuvendeve

Gjashtë kryetarë komunash shpërfillin raportimin para kuvendeve

Edhe pse me Ligjin për vetëqeverisje lokale kryetari i komunës e ka për obligim që së paku një herë në gjashtë muaj apo kurdo që t’i kërkohet nga kuvendi i komunës të raportojë për situatën ekonomiko-financiare, një gjë të tillë nuk e kanë bërë gjatë vitit 2015 kryetari i Komunës së Prishtinës, të Gllogovcit, Klinës, Novobërdës, Parteshit dhe të Kllokotit, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, këtë praktikë duket se po e ndjek edhe gjatë vitit 2016, pasi ai nuk ka raportuar para Kuvendit Komunal, ndonëse afati për ta bërë një gjë të tillë ka qenë deri më 31 mars.


Raportimet e rregullta parashihen të bëhen për situatën ekonomike financiare dhe zbatimin e planeve investuese, por mund të kërkohet edhe raportim i kohëpaskohshëm për çështje të ndryshme, thuhet në Raportin vjetor të monitorimit të komunave për vitin 2015, i cili u publikua të enjten.

Raporti i përgatitur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka nxjerrë në pah edhe mospërmbushjen e obligimit nga Komuna e Prishtinës për mbajtjen e mbledhjeve të parapara me Ligj për Vetëqeverisje Lokale që janë së paku 10 në vit. Ajo ka mbajtur vetëm 9 mbledhje të Kuvendit Komunal.
Komuna e Prishtinës edhe gjatë vitit 2016 ka dështuar që 3 herë radhazi të mbajë mbledhje të Kuvendit, me përjashtim të mbajtjes së një mbledhjeje urgjente.

Në periudhën janar-dhjetor 2015, kuvendet e komunave kanë miratuar gjithsej 1648 vendime dhe 162 rregullore.
Pas shqyrtimit të ligjshmërisë së akteve të kuvendeve të komunës janë konstatuar 39 shkelje ligjore të kuvendeve të komunave me rastin e nxjerrjes së akteve nënligjore.

Natyra e vendimeve të kundërligjshme për të cilat Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kërkuar nga komunat t’i rishqyrtojnë dhe t’i harmonizojnë me legjislacionin ne fuqi ka të bëjë me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, këmbimin e pronës komunale, bartjen e pronës shoqërore në pronë komunale, procedurat për shpalljen e pronave komunale më interes të përgjithshëm, vendimeve për ndryshim dhe plotësim të statuteve komunale.

Këtu hyn edhe bashkëfinancimi i projekteve kapitale në komunë, vendimet për kushtëzimin e qytetarëve për kryerjen e obligimeve ndaj shërbimeve publike, si dhe vendimet për miratimin e deklaratave për Asociacionin e Komunave.
Pas kërkesës së MAPL-së për rishqyrtim të akteve, komunat i kanë harmonizuar 26 akte konform kërkesës për harmonizim, 10 shkelje ende nuk janë harmonizuar në përputhje me kërkesën e organit mbikëqyrës, ndërsa 3 akte edhe pas rishqyrtimit nga kuvendet e komunave nuk janë harmonizuar.

Sipas kërkesës së organit mbikëqyrës kanë shqyrtuar aktet e kundërligjshme duke i harmonizuar me ligjet përkatëse: Vushtrria me 1 akt, Gjilani me 1, Obiliqi me 1, Novobërda me 10, Ferizaj 2, Klinë 1, Gjakova 1, Prizreni 1, Graçanica 1, Ferizaj 1, Rahoveci 1, Kamenica 1.
Ndërsa komunat të cilat nuk i kanë rishqyrtuar aktet në kuvendet e komunave pas kundërshtimit të ligjshmërisë nga autoriteti mbikëqyrës janë: Prishtina me 1, Gjakova 1, Parteshi 1, Kllokoti 1, Malisheva 1, Lipjani 3, Obiliqi 1, Novobërda 1.

E komunat të cilat i kanë rishqyrtuar aktet, por që përsëri nuk i kanë harmonizuar me ligj sipas rekomandimeve përkatëse të nivelit qendror janë Malisheva me 2 akte dhe Graçanica me 1.
Në raportin e publikuar nga MAPL, nga monitorimi që iu është bërë komunave të Kosovës, thuhet se në 92 raste mbledhjet e kuvendeve të Komunave janë zhvilluar pa mbajtjen paraprake të mbledhjeve të Komunitetit për Politikë dhe Financa, ndërsa 168 mbledhje janë zhvilluar pa mbajtjen paraprake të mbledhjeve të Komitetit për Komunitete.

Kompetencë themelore e Kuvendit të Komunës është miratimi i vendimeve dhe rregulloreve për zbatimin e ligjeve që prekin kompetencat e komunave.

Lidhur me agjendën evropiane dhe bashkëpunimin ndërkomunal, MAPL në bashkëpunim me komunat thotë se ka hartuar 38 planet të integruara komunale, me qëllim të adresimit të obligimeve të komunave nga procesi i Stabilizim-Asocimit, dialogut të liberalizimit të vizave, si dhe sfidave nga raportet e progresit.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, në tryezën e organizuar me rastin e publikimit të raportit, ka thënë se ky raport mbledh sfidat e komunave, si dhe ofron rekomandime për punët e tyre.

“Ka pasur një performancë të mirë sa u përket aktiviteteve ligjore, ndërkaq ka mospërputhje ligjore mes kryetarëve dhe organeve të brendshme të komunave”, ka thënë Mariq.
Ai duke folur për buxhetet e komunave, ka bërë thirrje që t’u ndihmohet më shumë komunave të veriut.

“U bëj thirrje institucioneve që të ndihmohen më shumë komunat në veri si dhe të miratohen buxhete më të mëdha”, ka thënë Mariq.
Raporti i rekomandon Kuvendit të Komunës së Prishtinës që të përmbushë obligimet ligjore për mbajtjen e së paku 10 takimeve brenda një viti kalendarik.

Komunës së Prishtinës i rekomandohet që të raportojë të paktën 2 herë brenda vitit ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Vetëqeverisje lokale.

Për komunat që kanë bërë shkelje ligjore me rastin e miratimit të akteve juridike rekomandohen të evitojnë rastet e tilla. Po ashtu kërkohet që aktet e kundërligjshme të rishqyrtohen dhe të harmonizohen sipas ligjit, në bazë të rekomandimeve të MAPL-së dhe ministrave të linjës.
Raporti u rekomandon të gjitha komunave që të themelojnë zyrën e investimeve. /Telegrafi/