LAJMI I FUNDIT:

“Gjendje e zakonshme”

“Po çfarë raporti, allahile”, kështu i përgjigjej Kryeqeveritari, vartësit të tij, i cili po ankohej se nuk kishte pasur rast t’i raportonte për vizitën e tij në Bruksel. Pastaj, u shkrinë në një të qeshur që e përshkoi krejt telefonatën.

Shumë argëtuese kjo qeverisja. Aspak nuk duket kështu para kamerave televizive, kur Kryeqeveritari hyn në mbledhje të kabinetit , me hapin e tij gjysmë-ushtarak dhe me vetullat e lidhura nyje në ballin e tij përplot brenga! Pas tij, të mbushur frymë zvarriten disa nga zëvendskryeministrat. Pastaj, vjen vargu i gjatë i ministrave dhe zëvendësministrave. Në mbledhje askush nuk kundërshton. Krejt janë të një fjale. Nuk ka mendime ndryshe.


Derisa aksidentalisht na ranë në vesh përgjimet e paligjshme të telefonatave, kujtuam se Kryeqeveritari ishte njeriu numër një i vendit të cilit të gjithë i dridheshin në këmbë teksa raportonin. Se Qeveria i trajtonte me seriozitet çështjet madhore të vendit. “ Po çfarë raporti… ”!

Pak a shumë kështu mund të lexohet mesazhi i telefonatave të përgjuara, pavarësisht se kush apo me çfarë qëllimi i ka plasuar ato në opinion. Sidomos, binte në sy fakti se në të gjitha takimet e rëndësishme ishte edhe “dosti”, emri i të cilit askund nuk përmendej. Qeveria e dinte se përgjohej.
Pra, për ata të cilët pas dhjetë vitesh do të lexojnë këtë shkrim, për të ditur më shumë , jo veç për statistikat zyrtare, por edhe për frymën e kohës në të cilën po jetojmë, duhet dhënë edhe një sqarim në formë fusnote. Pa të vështirë se mund të kuptojnë për çfarë po flasim.

E kam parasysh alergjinë tonë për fusnotat, por deri atëherë shpresoj se fusnota do të rimarrë funksionin e sajë akademik dhe do të humbë atributet politike.

Në fusnotë do të përmendja vetëm faktin se këtu u përfolën bisedat e përgjuara telefonike në mes të pushtetarëve tonë, formal dhe joformal. Mënyra e jashtëligjshme e bërjes publike të këtyre bisedave private (me përmbajtje publike), gjithsesi duhet të hetohet dhe me të gjitha mjetet do të parandalohet. Kjo dukuri, nëse përsëritet, mund të bëhet rrugë, mund të qojë deri te transparenca e plotë e qeverisjes në vend. E nga kjo nuk ka interes askush! As Qeveria, as “dostat” e as populli! Paramendoni çfarë pasojash do të kishte kjo! Kjo do të ishte diçka e ngjashme sikur, ruana Zot, në një martesë 40 vjeçare, burri dhe gruaja të mund të lexonin mendjen e njëri-tjetrit. Katastrofë!

Për shumë arsye nuk po i përmendi me emër as ministrat, as komunat, e as kryetarët e tyre! Në rend të parë se ka kohë që nëna më ka vdekur dhe nuk kisha dashtë me ma përmend askush në kontekst politik. Nuk e donte politikën.

Po e përmendi veç Kryeministrin e vendit, sepse ai, me gjasë, nuk i lexon mediat lokale. Jo se i ka nën kontroll, larg qoftë, por ka kush merret me to. Ka kush i “rehaton”! Ai i lexon veç mediat evropiane dhe amerikane, sepse atje e ka elektoratin.

Arsyeja tjetër është se disa nga ata janë dalldisur aq shumë nga pushteti, sa e kanë graduar veten me tituj nderi si “ nanq…t” e të ngjashme! Kështu, më e arsyeshme duket të mos bazohesh në miqësi të dikurshme apo respekt. “Kupa” ishte miku, ndoshta më i afërt i tyre.

Përndryshe, po përpiqem të mos mbetem prapa me modën. Edhe pse nuk di italisht! Filmin “Kumbara” apo atë për Salvatore Rinën i kam shikuar vetëm me përkthim. Por, në politikë është bërë modë me ia nise bisedës me një fjalë apo shprehje italiane. Sidomos bisedat telefonike. Pronto! Come stai? Bene, bene… Supër, super…!

Nejse, kjo “supër” nuk është italisht! Tingëllon si anglishte e përzier me pak supë lokale. Por, sot nuk e kam ndërmend me llafosë për supën lokale dhe skandalet qeveritare. Tashmë ato janë bërë krejt të zakonshme. As kërkon falje kush, e lëre më të japë dorëheqje! Janë veç biseda të zakonshme!

Eh, pra, e jashtëzakonshmja është bërë krejt e zakonshme. Askush nuk po skandalizohet më.
Lexova diku në rrjetet sociale, por ndoshta rren është, se këto ditë ndodhi diçka krejt e jashtëzakonshme! Qeveria në një mbledhje të jashtëzakonshme e ka shpallë gjendjen e zakonshme në Kosovë. Krejt këto që diku tjetër do të kishin tronditur popullin, institucionet, demokracinë, te ne nuk e lëvizin as qerpikun e qeverisë. Bile, sa me bë fllad mbi sytë e zi.

Pra, populli po argëtohet! Natën, shumë prej tyre bëjnë atë që nuk e bënin as para 20 vitesh. Hallakatin kontejnerët për një cope bukë. Por, skena të tilla kemi pa edhe nëpër filma! Janë të zakonshme! Natën shumë mbyllen brenda e nuk dalin! Pak prej frike, e pak se nuk kanë nevojë. U kënaqën me seri dhe me lajme. Lajmet janë qershia në maje të tortës.

“Po shpifin”, deklaroi zyrtarisht Qeveria. Janë falsifikime! Nuk janë bisedat tona. Pastaj del EULEX-i që zyrtarisht e deklaron se ato janë regjistrime të bëra nga ata! Bisedat janë të vërteta, këmbëngulë EULEX-i! Natyrisht, asnjëra palë nuk gënjen. Të gjithë kanë të drejtë! Veç për një deklaratë të tillë, në vende normale, do të duhej të jepte dorëheqje Shefi i qeverisë ose shefi I EULEX-it! Por jo! Askush s’ka nevojë me dhënë përgjegjësi! As raport! “Po çfarë raporti , allahile”

Është demokraci. Kush do i beson EULEX-it, e kush të dojë qeverisë. Te ne paraprakisht dihet kush rren: rren opozita!

Gjendja vërtetë duket më se e zakonshme ! EULEX-i fillon çdo gjë me zhurmë dhe në fund nuk bënë asgjë. Mos t’ju mashtrojnë sirenat e zhurmshme të veturave të tyre. Ato janë vetëm një marketing për ta arsyetuar buxhetin e lartë. Ato janë një paralajmërim për krimin: zhdukni provat se po vijmë! Deri tash e ka “ngrënë” veç kush s’ka pas krah ose pare.

Summa summarum, krejt tashmë e kuptuan se ministrat më së tepërmi e duan Jakupin. Shumë u ka mbet hatri në të. Ai, sipas ministres, po i bllokon! Sa të jetë ai, nuk mund të bëhet asgjë. Krejt dështimet e projekteve qeveritare kanë me ia faturua “Kupës”. Ai është fajtori kujdestar.

Para dy vitesh e pata shkruar një shkrim me një titull “Ja(u)kupi”, i cili asokohe tingëllonte më tepër si humor sesa si realitet. Po më thotë mendja, se duke pasur parasysh gjendjen e zakonshme, ndoshta edhe unë duhet t’i kërkoj falje qeverisë !

Do të pyesni përse të kërkoj falje kur liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë?!

S’ka lidhje, le të gjendet! Askush nuk është krejt i sigurt derisa “nanq…t” qeverisin!

Pastaj, edhe Kushtetuta është çështje interpretimi!