LAJMI I FUNDIT:

Gjermani, në gjyq çifti i spiunëve rusë

Gjermani, në gjyq çifti i spiunëve rusë

Dy bashkëshortë dolën para gjykatës në Gjermani me akuzën e spiunazhit, në atë që mediat vendase e quajnë si procesi më intrigues që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Andreas dhe Heidrun Anschlag mendohet se janë zhvendosur nga ish-Gjermania komuniste lindore drejt perëndimit 25 vite më parë me pasaporta false. Ata akuzohen se kanë siguruar informacione sekrete fillimisht për Bashkimin Sovjetik e më pas për Rusinë.

Çifti u arrestua në tetor të 2011. Në momentin e arrestimit ata po përpiqeshin të çkodonin një mesazh të marrë nëpërmjet një transmetuesi wireless me valë të shkurtra, transmeton TCH.


Në mediat gjermane ka spekulime se çfarë sekretesh di çifti i spiunëve. Dy vjet më parë, një gjykatë në Mynih dënoi për shitjen e detajeve të prodhimit të një helikopteri një tjetër shtetas. Disa media shkruajnë se pikërisht ky person mund të ketë çuar autoritetet në gjurmët e çiftit, të tjera shkojnë më larg duke thënë se emrat e çiftit të spiunëve mund të kenë dalë nga goja e Anna Chapman, spiunia ruse e arrestuar në Shtetet e Bashkuara dhe e deportuar në Rusi, ku sot bën jetën e një personi të famshëm.

Por ajo që po mundon më shumë autoritetet dhe publikun gjerman është lidhja e mundshme mes agjentëve dhe presidentit Vladimir Putin. Ky i fundit ka shërbyer si agjent i KGB-së në Dresden në vitet 1980, pikërisht në kohën kur dyshohet se çifti ka nisur aktivitetin e spiunazhit dhe pyetja që ngrihet është a ka dijeni Putin për ta?

Analistët i druhen faktit se gjetja fajtorë e çiftit për spiunazh në favor të Rusisë mund të çojë në ftohje të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Gjermanisë, shkëmbimet tregtare mes të cilave janë në nivelet maksimale historike. /Telegrafi/