LAJMI I FUNDIT:

Gjermania konfirmon rritjen ekonomike

Gjermania konfirmon rritjen ekonomike

Rritja e ekonomisë gjermane u përshpejtua në fillim të vitit prej kërkesës së fuqishme të brëndshme kryesisht në sektorin e ndërtimit, tregon zyra Federale e Statistikave.

Duke konfirmuar vlerësimin e mëparshëm për ekonominë më të madhe të Europës, zyra e Statistikave deklaroi se Produkti i Brendshëm Bruto i Gjermanisë u rrit me 0.7 për qind në tremuajt e parë. Shifra ishte më shumë se dyfishi i regjistruar në fundin e 2015-ës prej 0.3 për qind.


“Impulset pozitive erdhën kryesisht nga kërkesa brenda vendit. Investimet, në veçanti, u përshpejtuan ndjeshëm në fillim të vitit”, shkruan zyra Federale e Statistikave. Ndërkohë, ekonomistët në vend dyshojnë se ekonomia gjermane mund ta mbajë të njëjtin vrull për tremujorin e dytë.

Sipas tyre, rritja e fortë në fillim të vitit ishte rezultat i dimrit të butë që kish nxitur aktivitetin e ndërtimit. Zyra e statistikave deklaroi se investimet e ndërtimit u rritën me 2.3 për qind në tremujorin e parë, ndërsa investimet në makineri dhe pajisje me 1.9 për qind.

Konsumi publik u rrit me 0.5 për qind nga tremujori i katërt i 2015-ës, pasi qeveria federale u përball me rritje të kostove të lidhura me emigrantët. Një treg i fortë i punës dhe çmimet e ulëta të energjisë kanë vazhduar të nxisin konsumin e ekonomive familjare.

Nga ana tjetër, tregtia neto ka rënduar lehtë në rritjen ekonomike të tremujorit të parë, pasi një përmirësim në eksporte u tejkalua nga importet. Totali i eksporteve të mallrave dhe shërbimeve u rrit me 1 për qind për tremujorin e parë, ndërsa importet me 1.4 për qind. /Telegrafi/