LAJMI I FUNDIT:

Gjermania rihap dosjen e masakrës në Francë

Gjermania rihap dosjen e masakrës në Francë

Hetuesit gjermanë rihapën dosjet për një nga masakrat më të mëdha të forcave naziste SS gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Bëhet fjalë për masakrën e ndodhur në Oradour-sur-Glane, një fshat i vogël në Francën Qendrore. Të paktën 642 persona, pjesa më e madhe e të cilëve gra dhe fëmijë janë ekzekutuar nga trupat SS në 10 qershor të 1944-ës.

Vendimi për të rihetuar masakrën mbërriti pas zbulimit të dokumenteve të reja nga arkivat e ish-Gjermanisë Lindore, që deri vonë mbaheshin nga shërbimi sekret i saj, Stass. Dokumentet kanë nxjerrë në pah përfshirjen edhe të gjashtë emrave të tjera, ish-ushtarë të Waffen SS që mendohet se sot janë ende gjallë.


Gjyqi i parë për masakrën e Oradour-sur-Glane është kryer nga Gjermania Perëndimore që në fillim të viteve 50-të. Rreth 60 ushtarë u dënuan me burg, por u liruan sërish më vonë.

Ndërkohë, ata pak të mbijetuar të masakrës rrëfejnë tmerrin e kaluar. Njëri prej tyre thotë se nazistët grumbulluan gratë dhe fëmijë në një kishë. Më pas hodhën granata dore mbi të, para se t’i vinin flakën në fund.

Ndërsa meshkujt, thotë ai, u grumbulluan në një hambar, u goditën me mitroloz nga këmbët dhe u lanë ashtu për disa orë. Më pas edhe hambarit iu vu flaka.

E gjithë masakra e Oradour-sur-Glane mendohet se ka nisur pas rrëmbimit të një oficeri gjerman nga rezistenca partizane franceze. Nazistët dyshonin për bashkëpunim të fshatarëve të kësaj zone me rezistencën, ndërsa nga dëshmitë e mëvonshme, vetë banorët thonin se ishte një fshat tjetër aty pranë ai që strehonte partizanët. /Telegrafi/