LAJMI I FUNDIT:

Gjykatësi përjashton vetën nga lënda

Gjykatësi përjashton vetën nga lënda

Për shkak se ka mbrojtur si avokat njërin prej të pandehurve në çështjen ku është kryetar i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti ka vendosur ta përjashtojë veten nga kjo lëndë.

Për vendimin e tij gjykatësi Hoti tha se do ta njoftojë edhe kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në mënyrë që ai ta caktojë një gjykatës tjetër.


Vetëpërjashtimi në këso rastesh, sipas tij, është një obligim të cilin e kërkon edhe ligji. Ai theksoi se lidhur me këtë rast do t’i ndërpres të gjitha aktivitetet për shkak se nëse vazhdohet do të konsiderohet shkelje absolute e dispozitave ligjore dhe do të ishte shumë e lehtë që të rrëzohet nga gjykata më e lartë ndonjë vendim i marrë nga ai si pjesë e trupit gjykues.

Gjykatësi Arben Hoti tregoi se si avokat ka mbrojtur Avdi Gashin, i akuzuar në rastin ku ai drejton kolegjin e gjykatësve.

Rasti gjyqësor ku Hoti ishte kryetar i trupit gjykues ka të bëjë me një vrasje, e kryer më 29.11.2010 në Prishtinë. Në këtë incident kishte mbetur i vdekur Fitim Gashi.

Aktakuza për këtë rast është ngritur në vitin 2011 por vrasja e Fitim Gashit ende nuk është zbardhur.

Për vrasjen e Gashit akuzohet Përparim Rexhepi, i cili nga viti 2010 gjendet në paraburgim. I njëjti akuzohet edhe për veprën penale – mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe Avdi, Agron e Fejzullah Gashi. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje, ndërsa Avdi dhe Agron Gashi akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Gjithmonë sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur në nëntorin e vitit 2010, ku i ndjeri Fitim Gashi së bashku me të akuzuarit Avdi Gashi, Agron Gashi dhe Fejzullah Gashi kishin shkuar në lokalin e të akuzuarit Përparim Rexhepi, ku ishin përleshur në mes vete duke u gjuajtur edhe me shishe të birrës.

Pas kësaj, i akuzuari Rexhepi kishte marrë lëndime trupore ndërsa pasi që i ndjeri Fitim Gashi dhe të akuzuarit Avdi, Agron e Fejzullah Gashi kishin dalë nga lokali, Rexhepi e kishte marrë revolen dhe kishte shtënë në drejtim të tyre.

Aktakuza thotë se pas shtënies me armë i vdekur në vendin e ngjarjes kishte mbetur Fitim Gashi, ndërsa lëndime të rënda trupore kishte marrë i akuzuari Avdi Gashi.

Përparim Rexhepi pas shkaktimit të veprës penale ishte paraqitur vullnetarisht në polici dhe nga ai moment gjendet në paraburgim.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Përparim Rexhepi kishte deklaruar se rasti kishte ndodhur si rezultati i një problemi një natë më parë në mes një shoku të tij, i njohur si “Hevi”, me vëllain e tani të ndjerit.

Pas një nate disa persona kishin shkuar në lokalin e tij dhe pas përleshjes ai ishte goditur me armë në kokë dhe pas kësaj kishte marrë armën e tij në mënyrë që t’i largojë nga lokali dhe kur ata persona kishin dalë nga lokali dhe përsëri kishin vazhduar të gjuajnë dhe në këtë mënyrë edhe ai ka gjuajtur. Vetëm kur ishte nisur për në polici e kishte parë se një person kishte vdekur./Kallxo.com/