LAJMI I FUNDIT:

Granit Xhaka flet për Wengerin dhe përballjen me Taulantin

Granit Xhaka flet për Wengerin dhe përballjen me Taulantin

Nga objektivat e Zvicrës në Euro 2016, te përplasja me Taulantin në sfidën ndaj Shqipërisë e deri te transferimi i papritur tek Arsenali në përfundim të sezonit.

Këto janë temat kryesore për të cilat foli Granit Xhaka, një nga lojtarët më të rëndësishëm të përfaqësueses zvicerane, ndaj të cilës kuqezinjtë e De Biasi do të debutojnë në “Francë 2016”.


“Për mua kualifikimi në çerekfinale të Evropianit është objektivi minimal që duhet të arrijë Zvicra. Edhe gjatë Kupës së Botës që u zhvillua në Brazil treguam nivel të lartë dhe u eliminuam nga Argjentina vetëm pas kohës shtesë dhe të mos harrojmë që Argjentina shkoi deri në finale”.

Ndeshja e parë me Shqipërinë do të jetë shumë e veçantë për mesfushorin e Arsenalit, pasi do të ketë përballë vëllain e tij. 23-vjeçari mundohet t’i fsheh emocionet, duke theksuar se nuk e ka problem faktin që do t’i duhet të mposhtë Taulantin.

“Dy-tre javët e para pas shortit, ishte shumë e veçantë për ne. Të gjithë na pyesnin sesi do të mund të luajmë kundër njëri-tjetrit. Tani mendoj se të dy nuk e kemi problem, pra e kemi kaluar atë faze emocionuese”.

Graniti është i bindur se Zvicra mund të befasojnë në Evropian, madje gjen rastin edhe të thumbojë gjermanët, me të cilën përfaqësuesja helvete mund të përplaset në gjysmëfinale.

“Ne jemi gati, madje shpresoj që në gjysmëfinale të përballemi me Gjermaninë dhe ta eliminojmë. Le t’i lëmë mënjanë shakatë, skuadra e Low është favorite për ta fituar turneun”.

Granit Xhaka foli edhe për transferimin e tij tek Arsenali dhe ndjesitë që i dhuroi telefonata e Arsene Wenger.

“Ishte një çmenduri, sepse për mua Wenger është një legjendë. Krejt papritur më mori në telefon dhe më tha se dëshironte që t’i bashkohesha “topçinjve”. Ai m’u drejtua më fjalët: nëse dëshiron të dëfrehesh duke luajtur futboll, duhet të vish tek Arsenali, këtu është parajsa”.