LAJMI I FUNDIT:

Harmonia e shëndetit dhe e bukurisë: Kozmetika natyrore me notë fisnikërie

Harmonia e shëndetit dhe e bukurisë: Kozmetika natyrore me notë fisnikërie

Puna me dashuri të madhe së cilës i paraprijnë dija, profesionalizmi dhe përvoja nga fusha e kozmetologjisë përshkruan në mënyrë modeste farmacisten Rona Nushi, e cila merret me prodhimin e produkteve natyrore të cilësisë farmakologjike.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi


Duke marrë parasysh që puna e saj meriton lëvdata, mund të theksohet se fjala është për cilësinë dhe qasjen profesionale ndaj profesionit, produkteve “Bees & Trees Bio Cosmetics” të cilat janë sinonim i cilësisë dhe, pasionit të pashoq në Youtube, ku Rona, ofron përgjigje për shumë pyetje nga fusha e kozmetologjisë.

Me siguri përgjigjen më të mirë do ta merrni kur të filloni të përdorni produktet e saj kozmetike, ndërkaq se për cilat është fjala, lexojeni këtë intervistë.

Rona, fitohet përshtypja se dashurinë për begatitë natyrore e keni trashëguar nga prindërit tuaj, të cilët poashtu kanë shfaqur një dashamirësi të madhe ndaj gjithë asaj që na rrethon.
Është e vërtetë kjo, duke u nisur edhe profesioni i prindërve të mi (mjeke dhe gazetare), por edhe nga qyteti ku jam rritur, Peja, dashuria për natyrën nuk ka munguar asnjëherë.

13335403_10209499861799823_1017658402_n

Qysh e re keni reflektuar ambicie dhe prirje për alpinizëm, madje ndër të parat femra të klubit “Marimanga e Pejës”. A ka ndikuar kjo që ju të kuptoni se profesioni juaj i ardhshëm duhet të ndërlidhet me natyrën?
Pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme alpinizmi (rock climbing) dhe shëtitë e shpeshta nëpër male, më kanë ndihmuar të zbuloj më shumë për ndjesinë e paqes dhe qetësisë që të jep natyra. Që atëherë, jam bindur se profesioni im duhet të lidhet me natyrën. Ishte si kusht që unë të jem e lumtur me veten dhe rrethin.

Ndonëse në moshë të re, keni para vetes një përvojë goxha të begatshme për t’u përgatitur në shumë qendra të njohura të botës. Çfarë përvoje ishte kjo për ju?
Shkollimi jashtë qytetit të lindjes, për mua, është esenciale për një formësim më të plotë intelektual. Përvoja në Teksas, Itali dhe Shqipëri, më kanë ndihmuar të zgjeroj horizontet e mia jashtë asaj çka jemi mësuar të shohim çdo ditë në vendin tonë. E kjo, sigurisht ndihmon me ide të reja e kreativitet në punë, përveç njohurive në profesion. Përvojat e shkollimit jashtë vendit, janë të pazëvendësueshme!

Nga formimi juaj intelektual dhe profesional, lirisht mund t’ju quajmë edhe një inovatore e re, sepse keni krijuar linjën tuaj kozmetike. Për çfarë prodhimi bëhet fjalë?
Kam pak kohë që kam krijuar linjën time të kozmetikës bimore. Duke qenë një fushë me mungesë në vendin tonë, ku përveç produkteve edhe njohuritë e njerëzve për dobitë e kësaj kozmetike janë më të mangëta, mendova të krijoj linjën time “Bees & Trees Bio Cosmetics”. Në fillim e kam nisur me produkte për kujdesin e lëkurës (hidratues fytyre, rigjenerues, anti-akne, anti-rrudhë, mbrojtës dielli etj.), por sigurisht tendencat janë për t’u zgjeruar çdo ditë e më shumë.

Cilat janë përparësitë në krahasim me ato prodhime kozmetike të cilat mund të gjenden në tregun e preparateve kozmetike?
Përparësitë e kozmetikës bimore në krahasim me kozmetikën komerciale/jo bimore, janë të shumta. Rregullat dhe ligjet për përdorimin e substancave në produkte kozmetike janë shumë të dobëta dhe, si përfundim, shumë produkte që ne blejmë, përmbajnë substanca shumë të dëmshme për shëndetin tonë. Duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre përbërësve përthithen nga lëkura jonë dhe kalojnë në qarkullim të gjakut, dëmet janë shumëfish më të mëdha.

Prandaj, kozmetika bimore përveç sigurisë në përbërje që na jep, trajtimeve më të sigurta të lëkurës dhe pa dëme anësore, ka edhe efekt më të gjatë në kohë. Pas shumë viteve trajtim, lëkura jonë do të jetë shumë më e shëndetshme, për dallim nga kozmetika jo-bimore. Këtë e ka ditur edhe Kleopatra, që mban kurorën për trajtimet natyrale të bukurisë!

13324148_10209499882240334_179343249_o

Kujt i janë dedikuar produktet e Linjës tuaj kozmetike dhe cilave produkte u jepni përparësi?
Si fillim, jam përkushtuar më shumë për produktet e moshatarëve të mi, për ta zgjeruar pastaj edhe për mosha më madhore. E kam filluar me problemet më tipike dhe më madhore që mund të kenë adoleshentët me lëkurën: aknet dhe shenjat nga aknet. Problem tjetër – mbrojtja nga dielli, duke qenë se është më e domosdoshme dhe produktet jo bimore që mbrojnë nga dielli, kanë anë negative të pashmangshme. Pastaj, për të vazhduar me kremra hidratues për llojin specifik të lëkurës, krem për zonën rreth syve, krem anti-rrudhë për moshë mbi 35 vjeç, zbutës buzësh, etj.

Si u është përshtatur kozmetika individit dhe nevojave personale të tij, çfarë reagimesh kanë klientët tuaj?
Duke qenë linjë e re kozmetike, në fillimet e lansimit kam hasur në klientë më skeptikë, që bënin më shumë pyetje apo nuk besonin shumë tek kozmetika bimore. Por, çdo gjë ka ndryshuar nga momenti kur filluan t’i përdorin dhe të shohin efektet. Unë, mundohem që të komunikoj me çdo klient dhe t’ia shpjegoj produktin që i përshtatet më shumë për kërkesat që ka. Kjo ka ndihmuar shumë në performancën e produkteve, duke qenë se janë më të personalizuara për llojin e lëkurës.
Tashmë kam krijuar një numër klientësh besnikë, i cili po zgjerohet çdo ditë e më shumë dhe po më jep energji e vullnet për të punuar, duke parë reagimet pozitive të tyre.

Kur krijoni produktin, kush e jep fjalën e fundit? Sa janë vendimtare – tekstura, aroma, efektiviteti?
Për mënyrën e formulimit, teknikat e përgatitjes, kombinimin e përbërësve dhe deri tek ardhja e produktit përfundimtar, më kanë ndihmuar pa masë pjesëmarrjet në kongrese, panaire dhe laboratorët e universitetit. Baza gjithmonë merret aty, në bankat shkollore. Por, kozmetika është një shkencë që përparon shumë shpejtë, dhe çdo vit dalin gjëra të reja. Prandaj, këto aktivitete më kanë ndihmuar mjaft në formësimin tim dhe njohuritë për kombinim e krijim formulash.

13313748_10209499880960302_1077113574_o

Kur produkti krijohet, kush e provon dhe e teston i parë në lëkurën e vet? Ju personalisht?
Pas formulimit, produktin e provoj vetë fillimisht, pastaj e shpërndaj tek familja e ngushtë. Mundohem që të përqendrohem më shumë tek efektiviteti, ndërsa aromën e lë si rrjedhojë të përbërjes (e cila, duke qenë bimore, ka aromë natyre). Nuk më pëlqen të përdor aromatizues artificial. Çdo gjë në produktet e linjës sime, është natyrale apo me prejardhje bimore.

Të gjithë e dimë rrezikun e mundshëm nga rrezet e diellit, por gjithnjë e më shpesh vërtet edhe kremra me faktorë të lartë mbrojtës. Ku është sekreti i kësaj?
Mbrojtësit e diellit janë ndër produktet që përmbajnë substancat më të rrezikshme për trupin tone, por edhe rreziku nga rrezet e dëmshme të diellit, është shumë i madh. Një situatë jo e mirë, nga e cila kompanitë e mëdha kozmetike përfitojnë shumë duke i bërë tragjike dëmet nga dielli (për të rritur shitjen e produkteve të tyre). Dhe, për ta thënë një sekret të vogël, kjo është edhe arsyeja, pse kam filluar të përgatis produkte kozmetike. Sepse, nuk doja të përdorja krem mbrojtës dielli me ato kimikate! Krijova kremin tim mbrojtës me përbërje bimore dhe ky formulim më hapi dyert për të krijuar një linjë të tërë kozmetike.

Unë, jam pro mbrojtjes nga dielli, sigurisht. Rrezatimet e dëmshme duhen evituar (rrezet UVA plakin lëkurën, rrezet UVB shkaktojnë djegie dhe kancer lëkure) dhe kjo mund të bëhet me dietën e duhur (duke rritur rezistencën e lëkurës ndaj diellit), mbrojtje me kapelë/rroba, nën hije dhe me mbrojtës dielli bimor. Është kaq e thjeshte dhe pa efekte të dëmshme.

Si mendoni ju, që klientet duhet patjetër të dinë për kozmetikën natyrale? Si do të dinë dhe si do ta identifikojnë produktin e mirë?
Të gjithë duhet të kenë informacionet e duhura për kozmetikën natyrale dhe atë jo-natyrale. Në fund, zgjedhja i takon secilit, por informacioni duhet të jetë. Shumë produkte shiten për bimore, duke i vënë një “Bio” afër emrit. Por, e gjithë e vërteta qëndron prapa etiketës, tek përbërja e produktit. Për ta kuptuar cilësinë e një produkti, mjafton ta lexoni përbërjen që ka. Për t’ju ardhur në ndihmë për këtë, ekzistojnë mjaftë aplikacione, ku mjafton vetëm ta shkruani emrin e produktit dhe ju tregon të gjitha të dhënat e nevojshme për përbërjen dhe rreziqet që përmban ai produkt. Duke e praktikuar më shpesh shikimin e përbërjes, do të fillojmë të mësojmë vetë më shumë për këta përbërës dhe t’i dallojmë pa shumë mund.

13318646_10209500068844999_2057299512_n

Pra, si duhet patjetër të jetë kozmetika, për t’u quajtur natyrale?
Kur jemi tek emërtimi i një produkti kozmetik si natyral apo bimor, kemi shumë keqkuptime dhe keqinterpretime. Shumë linja kozmetike i paraqesin produktet e tyre si 100% bimore apo 100% natyrale, gjëra që vështirë të ekzistojnë. Një produkt 100% bimor duhet të ketë secilin përbërës nga bimët. Ndërsa, përbërësi kryesor i kremrave është uji, i cili sigurisht nuk është një bimë, por është i padëmshëm.

Prandaj, një produkt për t’u quajtur natyral (por jo me terma absolut 100%) duhet t’i ketë të gjithë përbërësit me prejardhje nga natyra, jo të sintetizuar në laborator. Sigurisht, edhe këta përbërës duhet të jenë të kontrolluar, ku ndahet pastaj edhe kozmetika organike apo jo-organike (varësisht nga mënyra se si rritet bima).

Si të mbrohen materiet aktive në produktet natyrale dhe si të sigurohet shëndeti i drejtë dhe të mos përdoren konservanse të rrezikshme?
Produktet kozmetike natyrale kanë jetëgjatësi shumë më të shkurtër se produktet jo-natyrale. Kjo për shkak të mungesës së konservuesve të fuqishëm, të cilët janë dëm me vete (kemi dëgjuar shumë për rrezikun e kancerit të gjirit nga parabenet). Për të rritur jetëgjatësinë e produkteve natyrale, duhet të kemi kujdes tek mënyra e përgatitjes, ambalazhi dhe përbërësit antioksidues. Këta përbërës, janë ekstrakte bimësh, të cilët janë specifik për fazën ujore dhe vajore të produktit. Këta përbërës mbrojnë produktin për disa muaj, varësisht nga formulimi që bëjmë.

Këtë përgatitje tuaj profesionale, bashkë me këshillat dhe sugjerimet, ju ka kohë që i plasoni edhe në Youtube. Si është pritur kjo?
Dëshira ime për të përhapur sa më shumë informacione e këshilla për kujdesin natyral ndaj lëkurës dhe shëndetit në përgjithësi, më solli deri tek krijimi i një kanali në YouTube – Le Kure. Duke qenë diçka e re për vendin tonë (dhe shumë e nevojshme, besoj) është pritur shumë mirë. Shoh mjaft interesim për përgatitjen e recetave dhe praktikimin e këshillave, kryesisht të gjinisë femërore, por nuk mungojnë as meshkujt. Kjo më ka ndihmuar shumë edhe në komunikim me publikun, duke parë se çfarë temash janë të nevojshme për diskutim për t’i trajtuar më pas në video.

Sa është i rëndësishëm suksesi për të qenë në hap me risitë dhe për arritjet e reja në punën tuaj?
Suksesi demonstron punën e palodhshme dhe ecjen në drejtimin e duhur, prandaj është shumë i rëndësishëm, sigurisht. Unë besoj në gjërat që bëhen hap pas hapi dhe që rriten gradualisht. Kjo demonstron punën e sigurt dhe me “bio”, nëse mund ta quaj në këtë mënyrë. Kështu, çdo arritje e re më stimulon për më shumë punë, për të arritur tek maja tjetër.

Farmakologët zakonisht kanë bimët e veta të adhuruara, lulet, vajin. Cilat i adhuroni ju?
Unë i qëndroj besnike bimëve të stinës (edhe kur behet fjalë për ushqimin) si dhe atyre që i përshtaten më shumë llojit tim të lëkurës. Momentalisht kam filluar të bëj hidrosolin e trëndafilit, me trëndafilat e mbledhur në kopshtin tim. Ky gjithashtu i përshtatet dhe lëkurës, prandaj mbetet i preferuari im për këtë sezon.

Cilat rituale personale tuajat janë më të preferuarat?
Do ta veçoja përgatitjen e lëkurës dhe trupit për gjumë. Rituali i mbrëmjes është edhe më i rëndësishmi, përveç që është më qetësuesi, pasi lëkura rigjenerohet gjatë natës dhe duhet të jetë sa më e përshtatur për këtë proces. Pastrimi i fytyrës, masazhi, joga dhe trajtime tjera që ndihmojnë trupin dhe mendjen, pas një dite të lodhshme, mbeten të preferuarat e mia.

13336288_10209499862279835_1001636386_n

Mënyrat e kurimit të trupit dhe mendjes janë shumë personale, por që të kënaqin shpirtin. Çfarë rekomandoni ju lidhur me këtë?
Mënyrat e kurimit të trupit e mendjes tregojnë shumë për rëndësinë që ne i japim vetes, vetëvlerësimin dhe përkushtimin që kemi për t’u relaksuar e për të hequr stresin. Çdokush gjen metodat e veta më të përshtatshme, por koha ka treguar që praktikat më efektive për këtë gjë, janë ato të bëra me bimë apo produktet e tyre. Duke u nisur nga aromaterapia me vajra esenciale, masazhet e trupit me vajra qetësues e deri tek kurimi i plagëve me bimë apo ekstraktet e tyre, të gjitha këto që njeriu i ka përdorur që në lashtësi.

Pasqyra mund të jetë edhe armike edhe aleate, por mund të jetë edhe rëntgen edhe i imtësisë më të vogël me të cilën nuk jemi të kënaqur. Si të gjendet baraspesha?
Psikologjia e vetëvlerësimit dhe ndjenjës së qetësisë me vetveten, është mjaft e ndërlikuar. Por, hapi i parë drejt kësaj është dieta e shëndetshme, e cila ndikon në çdo imtësi të trupit (si tek lëkura ashtu edhe tek shëndeti mendor). Aktiviteti fizik duhet të pasojë, bashkë me trajtime të tjera për mirëmbajtjen e trupit tonë. Nuk është thënë pa qëllim shprehja: “Trup i shëndoshë, mendje e shëndoshë”.
Perfektja nuk ekziston, por ekziston shëndeti, mirësia, buzëqeshja dhe dashuria për pozitivitet, që bashkë përbëjnë gati perfekten.

Sa është e vështirë të jesh farmaciste, menaxhere dhe të harmonizosh punën me jetën private?
Fillimisht ka qenë më e vështirë, kur punët dhe përgjegjësitë filluan të rriteshin dhe ishin shumë gjëra të reja për mua. Por, duke qenë se puna ime është diçka që nuk ka orar të caktuar dhe është e lidhur edhe në ambientin familjar (këshilla shëndetësore, videot e bëra në ambientin e shtëpisë, komunikimi me klientët në çdo kohë), thuajse nuk e dalloj që e kam si punë. Është bërë më shumë si stil jete, që e praktikoj vetë dhe e ndajë me të tjerët.

13335409_10209499862159832_1541348307_n

Çfarë këshillash do t’u jepnit lexuesve të cilët kanë ndonjë problem dermatologjik apo, megjithatë, dëshirojnë që lëkura t’u shkëlqejë?
Këshilla e parë, do thoja, para përdorimit të çdo produkti duhet të sigurohen për përbërjen e tyre dhe që t’i përshtatet llojit të lëkurës që kanë, përndryshe efektet nuk do të shihen, por edhe mund të jenë negative. Çdo produkt duhet të përshtatet, duke filluar nga pastrimi i fytyrës e deri tek kremi që përdorin.

Dhe për fund do të na interesonte të dimë për planet dhe interesimet tuaja për të ardhmen?
Plani i parë afatshkurtër, sigurisht është zgjerimi i linjës kozmetike dhe i pikave të shitjes. Momentalisht jam duke punuar për produkte të reja, të cilat shumë shpejtë do të lansohen. Idetë për gjëra të reja nuk më mungojnë, por duke qenë risi tek ne, edhe realizimi i tyre është pak më i vështirë. Por, plani afatgjatë i “Bees & Trees” është që të sjellë një frymë krejt tjetër të bimores, natyrales dhe dashurisë për tokën ku jetojmë. Në të njëjtën kohë, edhe në kanalin në YouTube, të zgjeroj temat e diskutimit, këshillat dhe recetat që sjelli herë pas here.

Dalai Lama ka thënë: “Të lindësh është mrekullia më e madhe”. Prandaj, ta vlerësojmë jetën dhe të bëjmë gjëra të mëdha duke mbrojtur veten dhe ambientin. Kjo është gjëja që dua të bëj! /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori