LAJMI I FUNDIT:

Hasan Prishtina dhe zgjerimi i kryengritjes nga Kosova deri në Shkup

Hasan Prishtina dhe zgjerimi i kryengritjes nga Kosova deri në Shkup

Nënkonsull britanik në Shkup, Walter Peckham, me 9 korrik 1912 njoftonte Foreign Office-in për zhvillimet e kryengritjes së shqiptarëve kundër Perandorisë Otomane. Derisa Kosova vlonte nga luftimet, situata në pjesën shqiptare të Maqedonisë së sotme ende ishte e qetë por ishte e qartë se kryengritësit së shpejti do të përparonin edhe në këtë anë. Diplomatët britanikë në Shkup ishin të bindur se ekzistonte një marrëveshje në mes kryengritësve shqiptarë dhe komitëve maqedonë. Nënkonsulli theksonte se nuk kishte qenë në gjendje të gjente ndonjë gjurmë që do të dëshmonte për këtë marrëveshje e cila nga ana e shqiptarëve mendohej se ishte bërë nga Hasan Bej Prishtina.

Deri në muajin korrik, sanxhaku i Pejës ishte qendra kryesore e kryengritjes kurse shqiptarët e Gjakovës kishin filluar revoltën gjatë prillit dhe që nga atëherë nuk pushonin luftimet guerile. Prizreni ishte i qetë por banorët e qytetit dhe rrethinës i ishin bashkuar luftëtarëve në rajonin e Gjakovës. Kryengritja po shtrihej nga Mitrovica e deri në Preshevë.

Para fillimit të luftimeve në Gjakovë, nënkonsulli britanik mendonte se ky ishte rajoni ku Hasan Bej Prishtina nuk kishte pasur sukses ta bindte popullatën e kësaj ane pasi që ai kishte deklaruar se luftimet do të fillonin më herët. Hasan Beu i kishte thënë nënkonsullit se në Gjakovë, sikur edhe në tërë Kosovën, kryengritja ishte vonuar për arsye se armët nuk ishin siguruar me kohë dhe me shpejtësinë e planifikuar.


Porta e Lartë, deri në muajin prill, nuk ishte merakosur për situatën pasi që mendonte se do ta kontrollonte lehtë. Kjo ishte arsyeja, siç shkruante nënkonsulli, që Porta deri atëherë më shumë “preferonte që Hasan Bej Prishtinën ta shihte në Junik se sa në opozitë në karrigen e tij të deputetit në Stamboll”. Megjithatë Hasan Beu e kishte shfrytëzuar faktin e bllokimit të rrugës politike që ia kishte organizuar Porta. Ai, tashti po tregohej i suksesshëm në aspektin e strategjisë ushtarake pasi që kishte arritur të ngriste në këmbë pjesën më të madhe të Shqipërisë nga e cila gjë po tronditej Stambolli.

Zyrtarët e Portës kishin humbur ndjenjën e urtisë politike dhe atë të veprimeve normale ndaj shqiptarëve. Pos kërcënimeve të panumërta, Porta kishte lëshuar urdhra që gratë dhe fëmijët e udhëheqësve të kryengritjes të syrgjynoseshin për shkak që kryefamiljarët kishin dalë në ballë të luftës kundër perandorisë. Një masë e këtillë e patakt i kishte habitur tërë diplomatët në Stamboll kurse shqiptarët i kishte egërsuar edhe më shumë. Duke e analizuar dhe kritikuar këtë vendim, nënkonsulli britanik shkruan:

“Sikur turqit të dëshironin të provokojnë një kryengritje të përgjithshme shqiptare, nuk do të kishin mundur të zgjedhin metodë më të mirë se kjo”.

Porta kishte shpërndarë një proklamatë të shtypur nëpër qytetet e rëndësishme të Shqipërisë me të cilën kishte bërë me dije se urdhëronte udhëheqësit e kryengritjes që të dorëzoheshin brenda tri ditëve. Në të kundërtën, gratë e tyre do të dërgoheshin në Anadoll në ekzil kurse pasuritë do t’u konfiskoheshin. Nënkonsulli theksonte se këto dy masa kishin shënuar momentin e krizës së pakthim në mes shqiptarëve dhe Portës. Ai, duke njoftuar Londrën, dhe duke e paraqitur seriozitetin e çështjes, theksonte se “gruaja është aq e shenjtë për shqiptarin sa që ai nuk gjuan për hakmarrje as në armikun më të përbetuar nëse ai është në prezencë të gruas kurse prekja e pasurisë konsiderohet vjedhje e cila si vepër penale në të drejtën tradicionale shqiptare trajtohet sikur akti i vrasjes”.

Megjithatë, familjet e Ahmet Beut, Riza Beut dhe Hysni Currit nga Gjakova, Jahja Beut, Sadik Efendiut dhe Shani Efendiut nga Prizreni dhe Mahmut Zaimit nga Peja, ishin mbledhur me qëllim që të dërgoheshin fillimisht në Shkup e pastaj në Anadoll. Gruaja e Riza Beut u kishte dalë përpara ushtarëve kur ata kishin shkuar ta merrnin. Ajo duke u bërtitur dhe duke i qortuar ushtarët, sikur të ishin fëmijë, u kishte thënë se duhet të shkonin të luftonin me burrin e saj se lufta nuk bëhet me gra.

Në Prishtinë banorët e tërë qytetit ishin betuar se më parë do të pranonin të vdisnin se sa të lejonin që gruaja e Xhemal Beut të nxirrej nga qyteti. Duke i pasur parasysh këto reagime, Porta i kishte modifikuar kushtet e kërcënimit dhe e kishte shty në afat të pacaktuar ekzekutimin e vendimit për ekzil të këtyre grave. Praktikisht, me kalimin e ditëve, ky vendim u venit deri në anulim. Megjithatë, ky ishte një shembull që tregoi se Porta e kishte humbur busullën dhe më nuk kishte konsideratë ndaj shqiptarëve.

Në raportin e datës 27 korrik, nënkonsulli e njoftonte Londrën për zhvillimet e kryengritjes. Sanxhaku i Pejës, Prizrenit dhe Prishtinës ishin në vlugun e kryengritjes. Gjatë kësaj jave të fundit të korrikut nënkonsulli njoftonte se kryengritja sapo ishte zgjeruar në rajonin e Gjilanit dhe pritej ta përfshinte edhe kazanë e Preshevës. Isa Bej Boletini ato ditë kishte shkuar në pjesën më veriore të Shqipërisë, në rrethinën e Bjello Poljes dhe Novi Pazarit, për të ngritur në këmbë edhe shqiptarët e kësaj ane.

Në Pejë, Xhafer Tajar Beu me 8 batalionet që kishte ende në disponim, mundohej ta ruante pushtetin që i kishte mbetur perandorisë në këtë pjesë të Shqipërisë. Në rajonin e tij gjendeshin disa magazina të mbushura me armatim të cilave kryengritësit ia kishin vënë syrin. Në Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Vuçitërnë kryengritësit kishin themeluar pushtetin e tyre. Edhe disa jo shqiptarë që ishin në shërbim të perandorisë iu bashkuan kryengritësve. Pjesa tjetër e administratës dhe ushtrisë otomane kishte ikur nga Kosova për t’u strehuar në Shkup.

Nënkonsulli britanik shkruante, duke u habitur, për disiplinën e lartë që aplikonin kryengritësit shqiptarë. Rendi dhe qetësia në këto vende nuk ishte prishur përkundër kryengritjes masive. Rrugët e Prishtinës ishin të qeta sikur ato të Shkupit. Madje, qytetarët e Prishtinës kishin dalë në votime dhe kishin zgjedhur kryetarin e ri pasi që mytesarifi kishte ikur. Njësoj, të qeta, ishin edhe qytetet tjera të Kosovës. Qarkullimi i komunikacionit hekurudhor, nga Shkupi nëpër Prishtinë e deri në Mitrovicë dhe anasjelltas, funksiononte si në ditët më të mira të pushtetit otoman.

Nënkonsulli njoftonte Londrën se kryengritja së shpejti do të përfshinte pjesën jug-lindore të Shqipërisë që për qendër kishte Shkupin. Garnizoni ushtarak otoman në Shkup (brenda në qytet) numëronte më shumë se 1000 ushtarë të organizuar në tri batalione të këmbësorisë dhe një të inxhinierisë. Informatat e nënkonsullit bënin me dije se ushtarët otomanë dhe shumica e oficerëve të tyre kishin dhënë shenja se nuk do të luftonin kundër kryengritësve shqiptarë të cilët i konsideronin vëllezër pasi që ishin myslimanë. Sipas nënkonsullit, edhe sikur situata të ishte ndryshe dhe qëndrimi i ushtrisë otomane të ishte i pafavorshëm ndaj shqiptarëve, kjo ushtri nuk do të kishte gjasa t’i përballonte vrullet e sulmeve të kryengritësve që do të vinin nga Kosova.

Për suksesin e shtrirjes së kryengritjes nënkonsulli theksonte se meritat ishin të Hasan Bej Prishtinës. Ai kishte komunikuar me Hasan Beun por nuk kishte arritur ende ta mësonte në tërësi qëllimin kryesor të kryengritjes. Hasan Bej Prishtina ia kishte përsëritur diplomatit britanik se një nga qëllimet ishte shpërndarja e Parlamentit Otoman dhe organizimi i zgjedhjeve të reja. Kërkesa tjetër ishte njohja e alfabetit shqiptar që duhej ta bënte Porta.

Hasan Beu kishte shtuar se qëllimi i shqiptarëve ishte që negociatat me Portën të fillonin dhe të kryheshin sa më shpejt. Numri i kryengritësve vetëm në rajonin e Prishtinës konsiderohej të ishte nga 20 000 deri në 25 000 veta të armatosur. Hasan Beu konsideronte se do të lindnin vështirësi për shqiptarët nëse gjërat vonoheshin pasi që do të lindnin problemet e ushqimit të këtyre njerëzve. Puna vështirësohej edhe më shumë kur dihej se koha për korrje po afrohej dhe ata që duhej të ishin në ara tashti ishin të zënë me punët e pushkës. Nëse Porta nuk interesohej për negociata, Hasan Bej Prishtina i kishte dhënë shenja nënkonsullit se kryengritësve nuk do t’u mbetej tjetër pos të sulmonin Shkupin.

Informatat e nënkonsullit bënin me dije se prijësit e kryengritjes nuk ishin unik në qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre. Sipas këtyre informatave, Hasan Beu ishte në favor të negociatave me qeverinë otomane kurse Riza Beu ishte që pas marrjes së Shkupit duhej marshuar në drejtim të Selanikut ku duhej vendosur pushtetin pa humbur kohë .

Me 14 gusht, nënkonsulli lajmëroi për hyrjen e kryengritësve shqiptarë në Shkup. Që nga mëngjesi i asaj dite mijëra shqiptarë të armatosur kishin ardhur në qytet me tren, në këmbë dhe me mjete tjera transporti. Në anën e shqiptarëve qëndronin edhe dy batalione otomane. Numri i shqiptarëve të armatosur por dhe të paarmatosur e që ishin në disponim për luftë dhe që ishin vendosur në qytete dhe fshatra përreth, sipas nënkonsullit, arrinte shifrën 16 000.

Situatën e dy ditëve të para, kur Shkupi ra në duart e kryengritësve shqiptarë, nënkonsulli britanik e përshkruan me sa vijon:

“Gjatë 48 orëve të fundit në Shkup kanë ardhur Riza Beu, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi kurse Jahja Aga i Prizrenit dhe Mehmet Pasha i Tetovës janë ende në Prishtinë duke zhvilluar negociata. Negociatat duket se po zhvillohen në favor të shqiptarëve. Valiu është udhëzuar për amnisti të përgjithshme dhe dëgjoj se Porta ka pranuar të gjitha pikat pos asaj që ka të bëjë me bartjen e armëve”.

Raportimet vijuese të nënkonsullit britanik, Walter Peckham, bëjnë me dije se të gjithë udhëheqësit shqiptarë, pos Hasan Bej Prishtinës, me 20 gusht e lëshuan Shkupin. Kryengritësit nuk morën rrugën për të shti në dorë Selanikun, siç kishin planifikuar, dhe siç mund ta merrnin me lehtësinë që morën Shkupin. /Telegrafi/

(Ky shkrim është punuar enkas për Telegrafin)