LAJMI I FUNDIT:

Helicobacter pylori

Helicobacter pylori

Rruga e përhapjes së infeksionit mendohet të jetë përmes kontaktit direkt me pështymë, të vjella dhe jashtëqitje të personave të infektuar me H pylori.

Dr. Arbër Veliu, specialist
Gastroenterolog – Hepatolog
tel. 044 165 624

Ky është një bakter gram-negativ që pas infektimit lokalizohet në mukozën e stomakut Mendohet se H.pylori ka migruar nga vendet afrikane para 60.000 vjetëve Prej asaj kohe e deri tani ky bakter ka evoluar në shtatë prototipa varësisht zonave të përhapjes nëpër gjithë botën.

Është zbuluar në vitin 1983 nga dy shkencëtarë Australian të cilët kanë vërejtur se pacientët e sëmurë nga ulcera e stomakut dhe e duodenit kanë qenë të infektuar me H.pylori. Ky zbulim ka ndryshuar në mënyrë radikale qasjen e trajtimit të ulcerës peptike dhe parandalimin e kancerit në stomak.

Mendohet së gjysma e popullatës në botë është e prekur nga ky lloj bakteri, shumë pak në vendet e zhvilluara dhe perëndimore, dhe më shumë në vendet në zhvillim. Në zonën e Ballkanit mendohet se rreth 70% e popullatës është e prekur nga H.pylori. Mbi 80% e tyre janë asimptomatikë që do të thotë gjatë jetës së tyre nuk kanë asnjë simptomë dhe shenja të sëmundjes. Kjo ka shtyrë që shumë shkencëtarë të mendojnë se kjo baktere nuk është aq e rrezikshme sa mendohet.

Infeksioni dhe kontakti me këtë lloj bakteri ndodh që në moshën e hershme të fëmijërisë, gjatë kontakteve të para me ambientin përreth që është i kontaminuar me H.pylori.

Kushtet socio-ekonomike të popullatës luajnë rol të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit, si p.sh:

– Banimi në ambient me shumë anëtarë rrit riskun e përhapjes së infeksionit.

– Nëse kushtet hidrosanitare në ambient janë të dobëta, ambient ku nuk ka kontroll të ujit të pijshëm dhe ujit të rrjedhshëm rrit rrezikun e infeksionit dhe bartjen e saj.

– Nëse bashkëjetoni ose keni kontakte të shpeshta me personin që është i infektuar me H.pylori rrit rrezikun e infeksionit dhe bartjen a saj.

Rruga e përhapjes së infeksionit mendohet të jetë përmes kontaktit direkt me pështymë, të vjella dhe jashtëqitje të personave të infektuar me H pylori. Bartja e infeksionit përmes lëngut gastrik (të vjellat) mendohet të jetë më e lehtë se sa përmes pështymës dhe kontakteve tjera. Ushqimi dhe uji i pakontrolluar është burimi i infeksionit në vendet në zhvillim ku ky kontroll mungon.

Simptomat e infeksionit

Shumica e personave të infektuar me H.pylori nuk shfaqin simptoma dhe nuk kanë asnjë ankesë gastrointestinale, dhe kjo mendohet të jetë në rreth 80% të popullatës. Ende nuk ka ndonjë shpjegim të saktë për këtë por mendohet se aspekti gjenetik dhe rezistenca ndaj efekteve anësorë te H pylorit mund të jenë arsye.
Simptomat më të shpeshta janë:

– dhimbja abdominaledhe epigastrike
– nauze, mundim për të vjellur
– të vjella
– fryrje barku dhe gazra
– rënie në peshë
– humbje të oreksit
– dhimbje gjatë natës, para dhe pas ushqimit

Simptomat si dhimbje të forta të stomakut dhe rreth umbilikusit, dhimbje që shoqërohet me të vjella ose të vjella me ngjyrë kafe, jashtëqitje me ngjyrë të zezë me erë të rëndë tregon se infeksioni me H.pylori mund të jetë komplikuar me sëmundje ulceroze si ulcera në stomak ose duoden. Në këto raste rekomandohet konsulta urgjente me mjekun familjar dhe specialistin gastroenterolog për trajtim të mëtutjeshëm.

Komplikimet e infeksionit me H.pylori

– Ulcera gastrike dhe duodenale .H.pylori dëmton mukozën e stomakut dhe duodenit dhe rrit ndjeshmërinë e saj ndaj aciditetit në stomak dhe duoden, si pasojë kemi dëmtimin e saj dhe krijimin e ulcerës .

– Gastritis kronik. H.pylori krijon inflamacion apo ndezje kronike (afatgjatë) të mukozës së stomakut dhe duodenit duke krijuar skuqje dhe edemë të mukozës dhe rritje të aciditetit.

– Gastritit metaplazik, gastriti atrofik dhe kanceri gastrik. Infeksioni me këtë baktere për një kohë të gjatë dhe të pa trajtuar në disa individ me predispozita gjenetike, faktorë të jashtëm etj mund të nxis dëmtimin kronik të mukozës së stomakut që shkon nëpër tre faza të dëmtimit deri te ajo ireverzibile dhe të rrezikshme për jetën siç është kanceri i stomakut.

Si diagnostikohet

Ekzistojnë disa metoda që mund të diagnostikojnë prezencën e H.pylorit në stomak, siç janë:

1. Testi përmes gjakut. Përmes antitrupave ndaj H.pylorit (IgG) mund të verifikohet prezenca e infeksionit. Kjo metodë është më e shpeshta në popullatë, por jo edhe më e sakta dhe më sensitive. Ky lloj testi nuk rekomandohet dhe nuk ka vlerë diagnostike pas trajtimit dhe eradikimit te H .pylorit. Përdoret ne raste të veçanta ku nuk ka mundësi për teste tjera më sensitive dhe specifike.

2. Testi përmes fecesit. Përmes fecesit mund të identifikojmë antigjenet e H.pylorit, antigjene speciike të saj që prezenca në feces tregon infeksion dhe ky lloj testi mund të përdoret për vërtetim të eradikimit pas një periudhe kohore që mund të jetë pas javës së 4-të ose 5-të pas mjekimit.

3. Përmes CLO-ureaze testit, përmes marrjes së materialit(biopsisë) nga stomaku ose duodeni që bëhet gjatë procedurës së endoskopisë.

4. Urea breath testi (testi përmes frymëmarrjes). Ky test që është më sensitivi dhe më specifik për të treguar praninë e H.pylorit në stomak tani është test rutinë në çdo klinikë në vendet perëndimore dhe SHBA. Testi konsiston në marrjen e kapsulës ose lëngut që është e përzier me ure ose karbon të ngjyrosur jo-radioaktiv C13 jo të dëmshëm për organizëm. Nëse ka prezencë të H.pylorit në stomak karboni joradioaktiv do zbërthehet nga ureaza e bakterit duke liruar CO2 dhe karboni i ngjyrosur lirohet përmes frymënxjerrjes në një aparat të posaçëm që mat sasinë e karbonit të ngjyrosur, varësisht nga niveli i saj vlerësohet prezenca e bakterit. Ky test është kryesori në vlerësimin e trajtimit dhe eradikimit të H.pylorit

Si mjekohet

Terapia e linjës së parë e ashtuquajtur ”triple therapy” konsiston në marrjen e tre lloj medikamenteve për një periudhë kohore prej 7-10 ditë siç janë: Inhibitorë të pompës protonike(Omeprazol, Pantoprazol, Lansoprazol,Esomeprazol) dhe dy antibiotikë si Klaritromicina dhe Amoksicillina. Gjatë viteve janë zhvilluar disa variante dhe modifikime të terapive treshe varësisht nga rezistenca në popullata të ndryshme.

Variantet tjera treshe konsistojnë në zëvendësimin e antibiotikëve të lartshënuar me antibiotikun tjetër Metronidazol, posaçërisht në personat alergjik në penicilinë ky antibiotikë është i linjës së parë së bashku me klaritromicinën. Në disa raste mund të përdoret bismut subsalicilat si preparat shtesë në treshe duke formuar terapi katërshe. Levofloksacina është një antibiotikë tjetër alternativë në raste të shfaqjes së rezistencës ndaj trajtimit me antibiotike të linjës së parë.

Disa studime kanë treguar së përdorimi i terapisë treshe së bashku me jogurt të pasur me bifidobakterie dhe lactis bakterie ndihmojnë në shërimin më të shpejtë të mukozës gastrike dhe duodenale.

Gjatë përdorimit të kësaj terapie shpesh ndodh që individë të ndryshëm të kenë efekte anësore nga përdorimi i tyre, efekte këto që konsistojnë në: dhimbje abdominale, barkqitje dhe shije të keqe(metalike) të gojës që shoqërohet me humbje të oreksit. Mirë është që çdo mjek para ordinimit të terapisë t’u tregojë pacientëve këto efekte ngase në disa raste ata me vetiniciativë ndalojnë marrjen e terapisë dhe ndërhyjnë pa dashje në skemën e trajtimit dhe ngadalësojnë shërimin e plotë.

Në disa vende ku prevalenca e përhapjes së H.pylorit është e lartë shumë mjekë testojnë individë të shëndoshë dhe pa simptome për prezencë të bakterit, kjo praktikë lë shumë vend për diskutim për shume grupe mjekësh për shkak të rritjes së rezistencës dhe efekteve anësorë të antibiotikëve.

Sidoqoftë mjekimi i H.pylorit është e rekomanduar te çdo individ që ka infeksion dhe simptomatologji dhe ka histori familjare për ulcerë peptike ose kancer stomaku. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Shëndetësi
Kalo në kategori