LAJMI I FUNDIT:

Hoti mbështet të rizgjedhjen e Kim president i Grupit të Bankës Botërore

Hoti mbështet të rizgjedhjen e Kim president i Grupit të Bankës Botërore

Deklarata e Ministrit të Financave Avdullah Hoti në përkrahje të ri-zgjedhjes së Jim Young Kim si President i Grupit të Bankës Botërore

Ministri i Financave të Kosovës Avdullah Hoti ka përkrahur ri zgjedhjen e Kim si president i Grupit të Bankës Botërore.


Sipas Hotit niveli i bashkëpunimit dhe përkrahja e Bankës Botërore, qoftë në formën e asistencës teknike, apo të mbështetjes financiare në Kosovë, është rritur në masë të konsiderueshme nën presidencën e Jim Young Kim.

“Dr. Kim mori zyrën e presidencës së Grupit të Bankës Botërore në vitin 2012, dhe që atëherë, Kosova ka parë një përkushtim të veçantë të Dr. Kim në drejtim të promovimit dhe realizimit të objektivave të Bankës Botërore për t’i dhënë fund varfërisë dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët. Duke pasur parasysh mjedisin ekonomik botëror dhe vështirësitë me të cilat po përballemi tani e disa vite, Dr. Kim dhe vizioni i tij, përmes programeve të ndryshme të mirë-dizajnuara dhe të implementuara me kujdes nga stafi i Bankës Botërore, ka kontribuar shumë në përmirësimin e cilësisë së jetës anekënd botës”, ka thënë Hoti.

Hoti thotë se në Kosovë, nën udhëheqjen e Dr. Kim, Banka Botërore ka formësuar dhe dizajnuar programet e saj sipas nevojave më akute të vendit dhe politikave tona më prioritare. “Grupi i Bankës Botërore ka mbështetur reformat në sektorin e shëndetësisë, arsimit, sektorin e energjisë, mjedisit, politikat sociale, sektorin financiar dhe një sërë reformash tjera shumë të rëndësishme. Prandaj mund të them lirisht se si rezultat i mbështetjes së marrë nga Grupi i Bankës Botërore, Kosova ka arritur rezultate të prekshme në shumicën e këtyre sektorëve”, tha Hoti.

Sipas njoftimit për media, Hoti ka thënë se duke përfaqësuar një vend që ndodhet brenda një periudhe transformimesh të thella, ri-zgjedhja e Dr. Kim edhe për një mandat tjetër si President i Grupit të Bankës Botërore do të ishte një sinjal i fortë që siguron vendin tonë se mbështetja e Bankës Botërore për përpjekjet tona reformuese do të ofrohet në mënyrën më efektive të mundshme.

“Prandaj, si Guvernator i Republikës së Kosovës në Grupin e Bankës Botërore, ofroj mbështetjen time të plotë për rizgjedhjen e Dr. Kim si President i Grupit të Bankës Botërore për një mandat të dytë. Grupi i Bankës Botërore ka nevojë për një president si Dr. Kim, me që jam shumë i bindur se përvoja, përkushtimi, dhe lidershipi i tij do jenë shtytje e mëtejshme për reformat e nevojshme për arritjen e objektivave të Grupit të Bankës Botërore për një botë më të mirë, pa varfëri dhe me një prosperitet të përbashkët për të gjithë”, ka thënë Hoti. /Telegrafi/