LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj takoi ambasadorin austriak, në agjendë – koordinimi për organizatat ndërkombëtare

Hoxhaj takoi ambasadorin austriak, në agjendë – koordinimi për organizatat ndërkombëtare

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

“Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Pfandler kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të përbashkët si dhe për koordinimin ndërshtetëror për aplikimin dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata multilaterale.


Hoxhaj e ka falënderuar ambasadorin Pfandler për mbështetjen e Austrisë për shtetndërtimin e Kosovës, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që shteti austriak po ia ofron Republikës së Kosovës në proceset integruese evropiane”, thuhet në njoftimin për media.

Hoxhaj gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e shtetit të Kosovës për të mirëpritur investimet e huaja në vend dhe me këtë rast ka përmendur edhe konferencën e përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Vjenës me biznesmen austriakë.

Duke e vlerësuar të suksesshëm organizimin e kësaj konference, ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova dhe Austria do të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe më tej në fushën e ekonomisë.

Nga ana tjetër, ambasadori Phandler, ka vlerësuar lartë marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve, si dhe ka konfirmuar përkushtimin e Austrisë për të vazhduar bashkëpunimin bilateral dhe e ka falënderuar ministrin Hoxhaj për përkushtimin e tij në këtë drejtim./Telegrafi/