LAJMI I FUNDIT:

Ibrahim Gashi: Politika amerikane karshi Kosovës e qëndrueshme

Ibrahim Gashi: Politika amerikane karshi Kosovës e qëndrueshme

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Ibrahim Gashi,  në emisionin “Ora e Fundit” në Klan Kosova,  ka folur rreth garës për zgjedhjet presidenciale në SHBA të cilat i ka cilësuar si të veçanta.

“Është një garë më e veçantë se të nominuarit janë njëra me background të njohur politike ndërsa Trump vjen nga bota e biznesit dhe nuk është parë shumë seriozisht , është parë me shaka kandidatura e tij”, tha ai.

Ai është shprehur se kandidati Donald Trump është parë me shumë hezitim dhe nuk është marrë seriozisht.

“Megjithatë ai arriti në nominim duke zhgënjyer edhe bashkpartiakë të tij, si Jeb Bush e të tjerë.  Me deklaratat dhe qëndrimet e tij, me deklarata mjaft skandaloze, Donald Trump ka krijuar pasiguri te votuesit amerikane”, tha Gashi.

“Trump është parë si kandidat joserioz, megjithatë është shumë herët pasi edhe sondazhet po bëhen me kujdes pasi në disa qytete ka fituar Trump duke analizuar edhe votat e kandidatëve të partive më të vogla që mendohet se do t’i shkojnë Hillary Clinton”.

Gashi është shprehur se sipas një shumice të analistëve, gjasat që të fitojë Trump janë minimale.

“Rasti Trump është quajtur si rast sui-generis, mund të konsiderojmë se Hillary Clinton ka më shumë gjasa të dalë fituese”.

Profesori Gashi ka thënë se fakti se përfaqësues të politikës kosovare dhe shqiptare po marrin pjesë në Konventën e demokratëve mund të merret si përkrahje pro Hillary Clinton.

Sipas Gashit, për Kosovën nuk është shumë e rëndësishme kush do të fitojë pasi nuk ka shumë gjasa që të ndryshojë politika e jashtme e SHBA-së.

“Për ne nuk ka pasur se cili kamp është duke qeverisur në Amerikë, politika e jashtme karshi Kosovës ka qenë e qëndrueshme nga të dy kampet”.

Ai në fund ka folur edhe për faktin se ambasada e Turqisë në Kosovës ka kërkuar burgimin e gazetarit Berat Buzhala.

“Reagimi i Ministrisë me vend se nuk është një praktikë e mirë, marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën duhen parë në një marrëdhënie me afatgjatë dhe besoj e shpresoj se do të vazhdojnë si të tilla”.

“Zhvillimet e fundit në Turqi kanë bërë që shumë shtete të kenë hezitimet e veta, por ka pasur nevoje për një reagim të tillë por shpresoj se nuk do të ndikojë në marrëdhëniet tona”, tha ai.