LAJMI I FUNDIT:

Identitetet lëvizëse të shekullit të ri dhe shqiptarët

1.

Në shekullin që kemi hyrë, identitetet kombëtare, duke mos qenë kategori shoqërore statike, por lëvizëse dhe të ndikuara nga proceset e ndryshme politike, ekonomike e sociale, në varësi të rrethanave dhe konteksteve shoqërore, janë nën presione të ndryshme. Procesi i globalizimit, sidomos përmes rritjes së ndërveprimit ekonomik, social e teknologjik, është një element që ka ndikuar dhe do të ndikojë në identitetin kombëtar të shumë popujve. Duke qenë në njërën anë proces që ka shtruar rrugë të zhvillimit të paparë (sidomos socio-ekonomik) për popuj dhe regjione të tëra, ai ka qenë po aq shkatërrues dhe ka varfëruar popuj e vende të tjera, të cilat kanë vazhduar të mos përfitojnë nga ky proces, por duke qenë në margjinat e tij, apo duke u shfrytëzuar në këtë proces në mënyrë të pamëshirshme resurset e tyre (natyrore dhe njerëzore), të vazhdojnë të pësojnë.

Tek popujt e parë, procesi i ndërveprimit në shkallë të paparë deri më tani, ka krijuar edhe vlera të përbashkëta, duke ndikuar në atë që do të mund ta quanim integrim të identiteteve. Por, në anën tjetër tek të dytët, rritja e varfërisë ka rritur barrikadimin në identitetin e vet shoqëror, si muri mbrojtës, ndaj asaj që mund të perceptohet si tjetërsim.

Në anën tjetër, një proces tjetër ekonomik i kohëve të fundit, që i ka prerë hovin globalizmit në formën që e kemi parë në 2-3 dekadat e fundit, është kriza financiare dhe ekonomike e që ka kapluar ekonomitë më të mëdha botërore, apo më mirë thënë përfituesit më të mëdhenj të globalizimit deri më tani. Kjo krizë financiare, që e ka goditur rëndë edhe BE-në, e ka vënë në dyshim edhe projektin politik dhe ekonomik (sidomos monetar) të saj.

Kjo krizë mund të ec në dy drejtime. Njëra është forcimi i projektit evropian, përmes fuqizimit të BE-së dhe ecjes drejt një integrimi më të thellë, që do t’i jepnin BE-së elemente më të qarta shtetërore të formës së një federate apo së paku konfederate. Kjo rrugë do të çonte drejt fuqizimit të identitetit evropian që do të ndërtohej mbi identitetin kombëtare të popujve që e përbëjnë BE-në dhe atyre që konsiderohen si vlera evropiane (demokracia, të drejta e njeriut, sundimi i ligjit, ekonomia e tregut, sekularizmi etj.). Rruga tjetër, mund të dërgojë në një tunel të errtë me plot të papritura, e cila mund të rezultojë me dobësimin, fragmentarizmin apo edhe prishjen e BE-së ashtu siç e njohim ne. Kjo do vendoste në krizë identitetin evropian, dhe do të krijonte kushtet, për barrikadim në identitetet kombëtare të popujve evropian, gjë e cila do të mund të reflektonte me thellim të krizës financiare dhe ekonomike e që do të mund të reflektonte negativisht në proceset politike.

Një tjetër proces, që po ndikon në ravijëzimin e identiteteve të reja, apo ri-dizajnimin e atyre të vjetrave, e që është produkt i rënies së murit të Berlinit, krijimit të botës një polare (me SHBA-të si fuqinë kryesore) si dhe globalizimit, është edhe radikalizmi fetar. Radikalizmi fetar dhe jo vetë feja, po bëhet gjithnjë e më shumë një element i rëndësishëm, ndarës, përçarës e veçues në mes të popujve të ndryshëm, si dhe po bëhet përpjekje që feja të vendoset në bazën e identiteteve të njerëzve, e në këtë rast edhe të identitetit kombëtar. Përpjekja për ta vënë fenë përmes radikalizmit fetar në qendër të identitetit, vërehet si në kontinentin evropian (përmes përpjekjeve që krishterimi të paraqitet si element i vetëm i identitetit evropian) ashtu edhe në pjesë të tjera të botës si në Lindjen e Mesme dhe në zonat e tjera të konfliktit, si në Afganistan (në këtë rast vendoset islami si elementi i vetëm dhe më i rëndësishëm i identiteteve të popujve dhe shoqërive përkatëse).

Përpjekja për ta vendosur krishterimin si element qenësor të identitetit evropian, për ta veçuar pastaj këtë identitet dhe kulturë kryesisht në baza fetare në raport me të tjerët, sipas shumë kritikëve të kësaj tendence, e cila duhet thënë se nuk mbrohet hapur nga qarqet zyrtare, është ndër shkaqet e pengesave që i bëhen Turqisë, por edhe shqiptarëve dhe shteteve të tyre në Ballkan, në procesin e tyre të integrimit evropian (kjo tezë nuk e amniston dështimin e garniturës politike në Prishtinë e sidomos në Tiranë për të bërë një shtet me institucione të qëndrueshme demokratike).

Në anën tjetër, vendosja e fesë (krishterimi kundër islamit, hebraizmi kundër islamit apo krishterimi kundër hebraizmit) si burim i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe në pjesë të tjera të botës (përmes koncepteve të njohura hantigtoniane të “luftës së qytetërimeve”), vetëm sa ndihmon fshehjen e arsyeve të vërteta të konflikteve e që janë ekonomike, gjeostrategjike dhe lidhen gjithashtu edhe me shfrytëzimin të resurseve natyrore. Sipas mendimit tim, këto janë vështrime të thjeshtëzuara, që përjashtojnë periudha të tëra historike të ndërveprimit, por duke qenë se shërbejnë për kauza të caktuara politike, ato janë edhe pjesë të manipulimeve politike.

2.

Po shqiptarët si gjenden në këtë vorbull global, që vazhdimisht ndryshon kontekstet shoqërore, dhe ndikon në shtete e popuj që të ndryshojnë, ndonjëherë pa e kuptuar edhe vetë ata. Përveç ndikimeve globale tek identiteti shqiptar, ndikon edhe konteksti i veçantë shoqëror, politik dhe ekonomik në të cilin jetojnë. Globalizmi në planin politik ka marrë hov nga rënia e sistemeve socialiste në Evropë. Ky kontekst politik për shqiptarët ka pasur disa rezultate që kanë ndikuar në jetën e tyre.

Së pari, ndikimi i sistemit politik e shoqëror ka ndikuar që shteti shqiptar të futet në një proces të gjatë tranzicioni politik dhe ekonomik nga i cili ende nuk po arrin ta marrë veten dhe të konsolidohet. Ndërsa, në anën tjetër për shqiptarë që ishin nën pushtetin jugosllav, rënia e sistemit socialist i ka futur në një rrugë të thellë të ndryshimeve të pozitës së tyre. Kështu, me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, copëtimi i brendshëm që i ishte bërë tokave shqiptare nga Jugosllavia, u legalizua edhe në planin juridik të jashtëm, duke bërë që shqiptarët prapë të ndahen në disa shtete.

Në anën tjetër, ky kontekst politik, bëri që të krijohen kushtet që në Kosovë, të fillojë procesi i çlirimit të saj, që përfundoi me pavarësimin e Kosovës. Pa ndryshimin e rrethanave në planin global (ndryshimi i raportit të forcave, fuqizimi i një shteti në arenën ndërkombëtare, dhe raportet në trekëndëshin SHBA-BE-Rusi), nuk do të mund të paramendohej edhe lufta çlirimtare, e aq më pak intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe vendosja e administrimit ndërkombëtar civil dhe pranisë ushtarake, që ka shtruar rrugën e krijimit të shtetit të Kosovës dhe njëkohësisht shënuar një kthesë në mënyrën e shtet-ndërtimit në Evropë. Liria dhe shteti me plotë kufizime i Kosovës, tranzicioni i zgjatur në Republikën e Shqipërisë, dhe situata e rëndë e shqiptarëve që jetojnë nën Serbi (në Kosovën Lindore) dhe Mal të Zi si dhe pamundësia që shqiptarët të shndërrohen në popull shtet-formues në Maqedoni me të drejtën e vetëvendosjes, janë të gjitha momente që do të ndikojnë sesi do të duket shqiptari i shekullit 21.

Mbi të gjitha, në dukjen (identitetin e tij) do të ndikojë beteja që shqiptarët do të bëjnë (dhe suksesi i saj) për të tejkaluar këto pengesa e për t’u zhvilluar normalisht dhe i lirë si komb në një tërësi ekonomike, arsimore, kulturore, sociale e që duhet të rezultojnë me jetën në një tërësi politike-shtetërore.

3.

Në anën tjetër, radikalizmi fetar, është një sëmundje, që mund të vjen në jetën tonë shoqërore dhe politike. Rilindësit ishin aq vizionarë, saqë i vendosën bazat e kombit shqiptar, mbi fetë përkatëse, duke krijuar një komb krejtësisht sekularist, që ishte krejt e veçantë sidomos për Ballkanin e shekullit XIX, ku kombet identifikoheshin bukur shumë edhe përmes veçantive fetare. Në rrethinën tonë, krijimi i kombit grek, serb, bullgarë e kroat kishte për bazë ndër të tjera komponentin fetar të krishterë (ortodokse përkatësisht katolike). Ky model i krijimit të kombeve në Ballkan ka rezultuar me tensione të mëdha e deri në gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, ku është përpjekur që feja të shfrytëzohet si veçori ndarëse në mes të popujve që kanë jetuar dhe jetojnë atje.

Andaj, tradita e madhe e krijimit të kombit tonë mbi ndasitë fetare, duhet të na bëjë krenar për aplikimin e një modeli të tillë të suksesshëm në rrethanat kur jo në Ballkan, por edhe në Evropë ishte e vështirë të gjeje modele të tilla. Sidoqoftë, kriza ekonomike, sociale e pse jo edhe politike dhe morale në të cilën po kalon shoqëria shqiptare, me përpjekjet për ta minuar dhe çarë identitetin kombëtar, përmes krijimit të një lloji tjetër të identitetit kombëtar, atij kosovar (në Kosovë), mund të krijojë hapësira për rrezikimin e identitetit kombëtar ashtu siç e kemi njohur, sidomos me komponentin e tij sekular.

Shpesh herë ithtarët e identitetit kosovar, thirren në emër të vlerave evropiane, të liberalizmit e sekularizmit, dhe akuzojnë mbrojtësit e identitetit shqiptar si unicentrist, hegjemonist, izolacionist, duke harruar se trendi evropian është integrimi e bashkimi, e jo ndarja dhe veçimi. E nuk ka gjë më të natyrshme, sesa ta ruash atë që është e përbashkët në një popull (në këtë rast tërësia e identitetit të tij kombëtar), e të bësh përpjekje që edhe politikisht këtë komb ta bashkosh në një shtet, para se të futet në familjen e madhe të popujve evropian.

Një faktor tjetër që mund të ndikojë në përpjekjet për ta radikalizur fetarisht shoqërinë tonë, janë edhe përpjekjet që bëhen brenda botës shqiptare, që feja islame të shihet si e kundërt me vlerat evropiane. Kjo qasje mund të çojë deri tek barrikadimi fetar i një pjese të shoqërisë sonë, duke bërë që tensioni të rritet. Unë personalisht mendoj se identiteti kombëtar shqiptar, është mburoja më mirë ndaj të gjitha përpjekjeve për ta radikalizuar fetarisht shoqërinë tonë; është mburoja më e mirë ndaj të gjitha përçarjeve që mund të krijojë ai radikalizëm. Identiteti shqiptar, i cili në vetvete është pjesë e traditave sekulariste evropiane, duke qenë mburojë ndaj radikalizmit fetar, është model i gjithëpërfshirjes, tolerancës dhe bashkëjetesës së feve të ndryshme brenda një identiteti kombëtar. Dhe normalisht radikalizmi fetar, më së miri luftohet, duke mos ia zënë frymën zhvillimit normal të asnjë feje brenda kornizave të identitetit kombëtar.

4.

Situata politike në të cilën janë gjendur shqiptarët të ndarë në shumë shtete, ka ndikuar që identiteti i tyre të krijojë mekanizma mbrojtës, për të mbijetuar ndarjet dhe moskomunikimin. Krijimi dhe ruajtja e simboleve makro ka bërë që të ruhet ky identitet. Ato simbole janë gjuha, letërsia, kultura, flamuri, Skënderbeu, Rilindja Kombëtare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë më 1912, kryengritjet anti-osmane etj. Madje edhe vetë projekti politik për bashkim kombëtar tek pjesa e robëruar e kombit, ka ndikuar që edhe shpirtërisht të tejkalohen ndarjet e gjata, duke qenë se synim ka qenë bashkimi me shtetin e cunguar shqiptar.

Po e shohim këto ditë sesi po ndjehet 28 Nëntori në tërë viset shqiptare. Tash kombi shqiptar, vazhdon të jetë i ndarë, por me mundësi më të mëdha komunikimi dhe me mundësi që përveç simboleve makro të krijojë edhe simbole të nivelit mikro e që lidhen me ngjarjet sportive, kulturore, zbavitëse apo edhe vetë abetarja e përbashkët etj. Krijimi i kushteve për integrime kombëtare në të gjitha fushat, me një vullnet më të madh politik, e mbi të gjitha me një projekt të përbashkët politik, jo vetëm që do të fuqizonte identitetin e përbashkët kombëtar, por do të ndikonte edhe në rritjen e cilësisë së jetës në të gjitha fushat për të gjithë qytetarët, e sidomos për ata që jetojnë në Republikën e Shqipërisë dhe në atë të Kosovës.

Sidoqoftë, krijimi i shtetit të Kosovës, me këtë rregullim politik e kushtetues, ku çdo gjë shqiptare është vendosur jashtë sistemit, e sfidon identitetin kombëtar. Këtu hyjnë edhe flamuri i Kosovës, si dhe simbolet e tjera. Por, kjo sfidë, më shumë sesa do ta dobësojë identitetin shqiptar në Kosovë, do ta forcojë atë, posaçërisht dhe mbi të gjitha për shkak të reaksionit që po shkakton përjashtimi i identitetit shqiptar nga identiteti i shtetit të Kosovës si dhe për shkak të vazhdimit të moszgjidhjes së problemeve me Serbinë, e lidhur sidomos situatën në veriun e Kosovës dhe në Kosovën Lindore. Për më tepër identiteti i përbashkët kombëtar do të fuqizohet nga rritja e komunikimit dhe fillimi i integrimit, e njëkohësisht do t’i bëj ballë, përpjekjeve për ndarje, do të kalojë pengesën politike të ndarjeve klanore, provinciale e feudale, do ta tejkalojë luftën e simboleve, dhe do të vazhdojë të evoluojë në varësi të rrethanave të reja, por gjithmonë si i përbashkët por njëkohësisht i larmishëm.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori