LAJMI I FUNDIT:

Ikje nga përgjegjësia

Të gjithë kërkojmë shtet më të mirë, thuajse shteti është diçka hyjnore, e cila ka fuqinë e vet të bëhet i fort, i mirë apo i keq.

Por, shtetin e bëjmë ne. Shteti është një projeksion i yni. Shteti jemi vet ne. Kjo është premisa nga e cila do të nisem në këtë letër, dhe jo vetëm kjo> mendoj se secili nga ne duhet ta bëjë një gjë të tillë. Por, në këtë pikë, nuk jemi kritikë, madje qëndrojmë inferior edhe kur na tërhiqet vërejtja.


Thënies së famshme të presidentit amerikan, Kennedy, "mos pyet se çfarë mund të bëjë shteti për ty, por pyet se çfarë mund të besh ti për shtetin", unë po përpiqem t’ia vë thelbin. Nuk është në pyetje shteti, jemi ne, jam unë, je ti. Mos të pyesim se çfarë mund të bëjë vetja jonë për neve. Le të pyesim se çfarë mund të bëjmë ne për vetën tonë.

Trupi ynë mund të rritet vetë, por a mundet të ushqehet vetë? A mund trupi ynë t’i forcojë muskujt vetë? A mund të shërohet ai vetë? Kësisoj, edhe shtetin, ne duhet ta ushqejmë, ne duhet ta forcojmë, ne duhet ta shërojmë nga të sëmundjet.

Nuk ja vlen ky vend… s’ka kurrgjë këtu… duhet me ikë larg… janë disa momente kur mbase secili nga ne shprehemi kështu. A duhet ne ta duam vendin tonë, edhe kur ai s’është i mirë. A duhet ne t’i respektojmë njerëzit e vendit tonë, edhe pse ata nuk kanë kulturë apo sjellje të mira…

Unë e dua vendim tim, sepse unë jam vendi im. Unë i respektoj njerëzit e këtij vendi, sepse unë jam një nga ta.

Po kush e bëri Amerikën të tillë çfarë është sot? Zoti? Jezusi? Allienat?

Po të iknin amerikanët nga vendi i tyre, a do të ekzistonin SHBA-të? Të gjithë ne e parapëlqejmë kulturën e tyre, të gjithë ne themi se sa mirë e respektojnë njërin-tjetrin.

Ndërsa ne, nuk e respektojmë as vetveten! Ne, vetëm ne, dhe askush tjetër s’ka përgjegjësi për këtë vend. Secili nga ne e luan rolin e tij në zhvillimin apo degradimin e këtij vendi. Në të kundërtën, nuk është asgjë tjetër vetëm ikje nga përgjegjësia e cila nënkupton edhe ikje nga vetvetja.
Në pamundësi për të ikur nga ky vend, ne ikim nga përgjegjësia jonë.

Secili nga ne, duhet të punoj, duhet të angazhohet qe gjërat të ecin mbar, që gjithçka të keqe ta shndërrojmë në të mirë… Të gjithë e shajmë njëri tjetrin, të gjithë kritikojmë, të gjithë dimë më mirë se të tjerët, të gjithë jemi më të mençur… por, ama të gjithë neglizhojmë, asnjë nuk e përmbush atë që e thotë. Të gjithë kërkojmë më mire, e shumë pak angazhohemi për këtë.